.
Published On: Sun, Oct 13th, 2013

Aeroporti është meritë e Ramush Haradinajt

Share This
Tags

lekaj--Gjakovë- “Aeroporti i Gjakovës është nisur të ndërtohet në vitin 2000, nuk u nis as në vitin 2009, as në 2010, as në 2011 e as në 2012. Janë tre njerëz që kanë vendosur që Gjakova të ketë aeroport në muajin shkurt të vitit 2000. Ai është Mazllum Kumnova, Et’hem Çeku pak me vështirësi se e kishte me dëshirë të ndërtohej në Pejë dhe kryesori është Ramush Haradinaj.

“Mos e harroni këtë se aeroporti nuk ka pasur të ndërtohet në Gjakovë, ka vendosur një njeri me dy kolegë të vetë me i thonë KFOR-it Italian duhet mu ndërtu aeroporti në Gjakovë, jo në Pejë. Kurrë mos e harroni këtë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gjini në një takim me bashkësitë e shtatë dhe tetë lokale që u mbajt pasditen e së dieles.

Nënkryetari i AAK-së ka vazhduar fjalen e tij për aeroportin duke thënë edhe dicka tjetër. “Çështja e dytë e aeroportit që dua të përmend, e që kryetari Lekaj mundet të më plotësojë se di detaje tjera, është kjo: kur është dhënë Aeroporti i Prishtinës me koncension dhe kur Qeveria e Kosovës e ka bërë një marrëveshje, që as sot se ka parë askush, dhe kur në Bordin e Ministrave që janë ulë ka qenë edhe një pretendente për kryetare të komunës e kanë fut një klauzolë të cilën kurrë nuk e kanë nxjerrë e cila thotë se në 100 kilometra vijë ajrore nga Aeroporti i Prishtinës nuk do të ketë aeroport tjetër në Kosovë. Kjo do të thotë se kurkund në Kosovë nuk ka me pas aeroport tjetër për shkak se 100 km prej Sllatines, vijë ajore, del prej Kosovës krejt.

“Në ato ditë në Zyrën e Kryeministrit, por edhe tek “Limaku”, edhe tek Zyra e Uninonit Evropian, shkojnë letra prej dy njerëzve: e para prej kryetarit Pal Lekaj, e cila ka këkruar që një klauzolë e tllë të mos futet; dhe e dyta nga Ramush Haradinaj në Prishtinë i cili ju ka thënë që do të vij deri tek dita kur do prishet kontrata në rast se Aeroporti i Gjakovës lihet jashtë si aeroport komercial”, ka shtuar Gjini.

Ai gjithashtu ka kritikuar Qeverinë e cila, sipas tij, e ka përjashtuar Gjakovën nga projektet kapitale. “Ata që dalin prej Gjakovës nga Peja, ose nga Prizreni edhe më mirë, shkoni nëpër Malishevë edhe e shihni se ku kanë shkuar projektet nacionale. E këto projekte i bën Kryeministri, Zv/kryeministrat dhe ministrat. Nëse kjo Qeveri do të ishte e drejtë me Gjakovën, jo të na favorizonte por të ishte e drejtë,  në Gjakovë kish me pasë projekte nacionale e këto projekte punësojnë me mijëra njerëz se Kosova ka asi ekonomie që Qeveria e ka numrin më të madh të të punësuarve”, ka shtuar Gjini.

E kandidati për kryetar, Pal Lekaj, ka thënë se Universiteti i Gjakovës nuk është meritë e askujt, pos e intelektualëve gjakovarë të cilët kanë bërë presion tek Kryeministri. “Akademikët me këmbëngulësi e kanë detyruar Kryeministrin të lëshojë vendimin për Universitetin e Gjakovës sepse Gjakova ka ditur të mbajë dhe Universitetin e Prishtinës dhe Komuna ju ka ofruar hapsiren prej 18.7 hektarë e që do jetë kompusi më i mirë në rajon”, ka thënë Lekaj.

Kryetari aktual, gjithashtu ka thënë se pas krijimit të kushteve në infrastrukturë, tashmë fokusi i tij do të përqendrohet tek zhvillimi ekonomik. Lekaj poashtu, para të pranishmëve ka shpalosur një fakt interesant. “Kur kam  filluar sëpari të mendoj të kandidoj për Kryeshef të Ekzekutivit, shumë kolegë, miq të mi që jam konsultuar më kanë thënë: nëse mundesh me e gjet mbështetjen në Gjakovë të jesh i bindur që mund të jesh edhe kryetar i Londrës, Parisit edhe i Uashingtonit. Unë e kam gjetur mbështetjen në Gjakovë  dhe ju falendeorj e ju përkulem për këtë mbështetje”, ka thënë në fillim të fjalës së tij Lekaj./radiogjakova/