Haradinaj: Lekaj është njeriu i duhur për Gjakovën
Gjakovë- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qëndruar të dielen në Gjakovë ku është takuar me qytetarët në kuadër të aktiviteteve elektorale të kandidatit për kryetar Pal Lekajt dhe kandidatëve për Asamble.
Ai ka thënë se dhe Aleanca është “pro” ndryshimeve, por në nivel qendror në mënyrë që Gjakova të mos izolohet dhe të vizitohet vetëm në kohë fushatash. Haradinaj ka shprehur vlerësim për punën e kryetarit aktual Pal Lekajt në komunën e Gjakovës.
“Gjakova ishte me kiosqe, llamarina, me tezgje të paorganizuara dhe tani Gjakova është me gjelbërim, trotuare, ndriçim dhe në çdo vendbanim ka arritur dora e pushtetit komunal”, tha Haradinaj, duke shtuar se Lekaj është njeri i shkolluar, atdhetar, e që nuk friëksohet të merr përgjegjësit që i takojnë.
Duke folur për partinë e dytë më të madhe në Gjakovë, AKR-në, lideri i AAK-së ka thënë se ky subjekt politik jo pa arsye po e humb pozicionin nacional e tashmë po kërkojnë të gjejnë strehë në Gjakovë.
Ndërsa, kandidati për kryetar, Pal Lekaj pasi foli për të arriturat dhe shpalosi vizionin e tij për katër vitet e ardhshme, tha se viti 2014, sikurse ai i para shtatë viteve, do të shënojë një kthesë të madhe për qytetin.
“Siç kemi filluar në 2007-tën, edhe viti 2014 do të jetë vit i kthesave të mëdha për zhvillim lokal, për punësim dhe unë ju garantoj se do të jemi një shërbyes i mirë i juaji”, u shpreh Lekaj, teksa ka shtuar se Gjakova dhe Kosova do të kenë një të ardhme të sigurt, pasi shumë shpejt kryeiminstër do të jetë Ramush Haradinaj./radiogjakova/