.
Published On: Wed, Oct 23rd, 2013

VV: Do të zhvillojmë ekonominë duke përkrahur prodhimet vendore

Share This
Tags

nagavi-golajGjakovë- Të martën Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë vizitoi qumështoren “Golaj” në fshatin Sheremetaj të Komunës së Gjakovës. Në këtë takim kandidatja për kryetare të Komunës, Arbërie Nagavci, së bashku me kandidatët për Kuvend Komunal, u njoftuan për punën që është bërë në këtë qumështore, si dhe mbajti konferencë për shtyp ku shpalosi programin për bujqësinë.

Arbërie Nagavci garantoi mbështetjen për qumështoren Golaj dhe për bizneset që zhvillojnë ekonominë e Komunës së Gjakovës. “Lëvizja Vetëvendosje si shtyllë kryesore ka zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e bujqësisë, dhe gjatë mandatit të tonë prodhimet vendore dhe bizneset do të kenë përkrahjen tonë. Qumështorja “Golaj” është shembull i mirë se si punohet me kapacitete vendore. Lëvizja Vetëvendosje ka në program përkrahjen e produkteve vendore dhe kur kjo funksionon krijohen edhe vende të punës. Bizneset tona do t’i ndihmojmë që prodhimin e tyre ta plasojnë në tërë vendin, madje edhe jashtë shtetit”, tha Nagavci.

Sali Golaj, kandidat për Kuvendin Komunal, tha se Lëvizja Vetëvendosje do të ndajë subvencione për bujqit dhe fermerët që e meritojnë. “Zhvillimi në bujqësisë do të jetë i dukshëm qysh në vitin parë të mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne do të krijojmë tri deri në katër pika grumbullimit të qumështit, varësisht prej kërkesave që kanë fermerët. Kemi paraparë dhe frigoriferë për pemëtarinë, ku do të grumbullohen disa lloje të pemëve, në mënyrë që të mbrohen bujqit, e të mos iu prishen prodhimet”, tha Golaj.

Dash Golaj, pronar i qumështores “Golaj” falënderoi Arbërie Nagavcin për vizitën dhe e njoftoi për punën që është bërë në këtë qumështore, duke thënë se do të rrisë kapacitet e saj.