Nagavci: Ata që e sollen Çarshinë në këtë gjendje do të vihen para drejtësisë
Gjakovë- Kandidatja për kryetare të komunës së Gjakovës nga rradhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka kundërshtuar, sipas saj, inaugurimin e parakohshëm të pjesës së parë të punimeve në Çarshinë e Madhe nga kryetari Lekaj.
“Komuna nuk ka dhënë asnjë informacion të detajuar për buxhetin e përdorur dhe nuk ka shpallur asnjë tender për ndërhyrjet që kanë ndodhur në Çarshi. Vetë zyrtarët e Komunës kanë refuzuar të japin informacion para medieve duke mos e bërë asnjëherë transparente shumën e saktë të parave të harxhuara për këtë projekt. Kubëzat të cilat janë hequr nga Çarshia kanë një vlerë më të lartë sesa rrasat e Gllarevës të cilat i kanë zëvendësuar ato. Nuk ka asnjë inventar mbi sasinë e kubëzave që janë hequr dhe mbi sasinë që është magazinuar dhe kemi dyshime që ato kanë kaluar në shitje në tregun e zi. Ndërhyrja e gjatë në Çarshi ka shkaktuar humbje të papërballueshme monetare për bizneset që punojnë këtu, të cilëve u ka bllokuar aktivitetin për mbi 9 muaj”, është hprehur Nagavci në fjalen e saj.
Sipas saj, ekspertët nga Komisioni për Trashëgiminë Kulturore dhe drejtori i Institutit të Monumenteve e kanë cilësuar këtë ndërhyrje në Çarshi si të papranueshme. “Grupi i pavarur i arkitektëve restauratorë ka ngritur alarmin që kjo ndërhyrje mos të ndodh. Shoqëria civile në Gjakovë ka ngritur zërin në të gjithë mënyrat për ta ndalur këtë ndërhyrje. Megjithatë kjo nuk ka mjaftuar, pasi Komuna dhe Ministria janë justifikuar mbrapa shkresave të bëra në fshehtësi, dhe në fund qeveria ka lejuar që ndërhyrja të ndodh”, ka vazhduar Nagavci.
Kandidatja e VV-së ka thënë se në gjithë këtë histori të tmerrshme ka një lajm të mirë, se pushteti aktual i ka ditët e numëruara. Gjithashtu në rast fitoreje të saj, Nagavci ka paralajmëruar masat që do merren në lidhje me Çarshinë e Madhe.
“Së pari, Lëvizja Vetëvendosje do të hapë të gjitha dosjet dhe materialet për të faktuar krimin që ka ndodhur në Çarshinë e Madhe dhe për t’i vendosur fajtorët para drejtësisë. Së dyti do të vendosen fonde të Komunës në dispozicion për hartimin e planit konservues të kësaj zone historike, si dhe për restaurimin e saj. Ne do të marrim masa që ruajtja e Çarshisë të bëhet sipas materialeve tradicionale që nxjerrin në pah identitetin dhe vlerat e saj autentike”, ka shtuar Nagavci.
Ajo ka thënë se gjitha bizneset në këtë pjesë do lirohen nga taksat për 4 vjet rresht si dhe një pjesë e zyrave të administratës komunale do të vendoset në objektet tradicionale që janë në Çarshi si dhe do të fillohet mer përgatitjen e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm për përfshirje e Çarshisë së Gjakovës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s./radiogjakova/