VV: Ne jemi ndryshimi që i duhet Gjakovës
Gjakovë- Të shtunën Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë mbajti tubim me banorët e lagjes “Haxhiymeri”. Para qytetarëve të pranishëm, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Gjakova gjithmonë ju ka prirë proceseve në periudha të ndryshme.
“Gjakova ka qenë prijëse e zhvillimit ekonomik, prijëse e zhvillimeve politike, prijëse e edukimit, e hapjes së universiteteve kurse sot kur vizitojmë komunën e Gjakovës vërtetë ndihemi të pikëlluar me këtë gjendje, për të cilën fajtorë është keqqeverisja qendrore dhe lokale. Vetëvendosje do bëjë ndryshim rrënjësorë, duke filluar nga qeverisja lokale”, tha Konjufca, duke siguruar qytetarët se ata do ta mbrojnë votën e tyre.
Kandidati për Kuvend Komunal, Driton Çaushi, tha se në qeverisjen e Vetëvendosjes do të ketë administratë të drejtë dhe transparente. Çaushi foli edhe për ekonominë. “Zhvillimi ekonomik është prioritet në programin tonë. Kemi paraparë rritjen e buxhetit për bujqësi dhe deri në fund të mandatit të parë do të kemi rritje 10%”, tha ai.
Më tej, Driton Çaushi tha se këto ditë kemi parë inaugurimin e Çarshisë së Madhe e cila është degraduar. “Ne do t’ia kthejmë gjallërinë Çarshisë së Madhe, dhe për këtë kemi plane. Do të lirojmë nga taksat bizneset në atë zonë dhe një pjesë të administratës do ta kalojmë në Çarshinë e madhe”, përfundoi Çaushi.