Gola vazhdon takimet nëpër fshatra
Gjakovë- Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës Luan Gola ka zhvilluar katër tubime elektorale me qytetarë të Gjakovës, përkatësisht në fshatrat Bishtazhin, Kralan, Ponoshec dhe Skivjan.
Në fjalën e tij para këtyre banorëve, Gola ka shpalosur vizionin për të pranishmit, pjesë nga platforma e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Gjakovë, duke mos lënë anash as kritikat drejt pushtetit aktual të komunës.
“Drejtues të cilët për një mandat, për dreka e darka si dhe për telefona e karburante për automjete, harxhojnë mbi 900 mijë euro, kur në anën tjetër kemi largim të të rinjve nga 1000 deri 1200 në vit, biznes të shkatërruar dhe kur mbi 50% e fshatrave të Komunës së Gjakovës, nuk kanë ujë të pijes, nuk kanë dhe nuk duhet të kenë as guximin të dalin të kërkojnë, e lere më të marrin votën tuaj”, ka thënë Gola para këtyre banorëve.
Në këto takime kanë folur edhe Teuta Sahatqija, Armend Zemaj dhe Naser Rugova./radiogjakova/