Mimoza: Prioritet bashkëpunimi me Shqipërinë
Gjakovë- Në fshatin Lipovec të Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka bërë prezantimin e objektivave qeverisëse dhe plan programin e saj për Gjakovën.
“Prezenca juaj sonte këtu, dëshmon më së miri që muri i ndasive i ngritur nga kryetari aktual Pal Lekaj po rrëzohet. Ata që e ndjekën modelin përçaj dhe sundo edhe 5 ditë dhe do shkojnë në shtëpi me peshen e turpit për ato që ju premtuan dhe nuk i realizuan asnjëherë”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo është shprehur e brengosur se “sa herë që vijë te ju këtu shoh se deri ku ka arritur injoranca e kësaj qeverisje lokale”.
“Ngecjet në infrastrukturë, rrjet të kanalizimit, ujësjellësit dhe ndriçimit janë ofendimi më i madh që ky kryetar ka mundur të ju bëjë juve si banorë, pasi që çështjet elementare do duhej të ishin të kryera”, ka theksuar ajo.
Ajo më pas i ka siguruar të gjithë të pranishmit se programi i AKR-së është konkret dhe bazohet në mbështetje të vazhdueshme edhe nga donatorë ndërkombëtarë. “Së bashku do angazhohemi që të zhvillojmë bujqësinë dhe ndërmarrësinë, në mënyrë që të rinjtë të mos ikin nga Gjakova, por të kenë perspektivë për të ardhmen”.
Kandidatja e AKR-së për Gjakovën, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se bashkëpunimi si komunë kufitare me Shqipërinë do jetë prioritet i saj si Kryetare e ardhshme, “ku bashkë me ju, përmes partneritetit publiko-privat, do ndërtojmë fshatra turistike në Goden dhe Prush, por së pari ju garantoj se të gjitha pronat e Komunës do të kthehen nga cili do uzurpator që i ka rrëmbyer në mënyrë të jashtligjshme”.
Në fund banorët shprehen shqetësimet e tyre për qeverinë lokale e cila, sipas AKR-së, “i ka dënuar vetëm se në 2009 kishin votuar për Kusari-Lila”.
Ndër çështjet me rëndësi ishte interesimi i banorëve se si do të luftohet haraqi në Komunën e Gjakovës, me ç’rast Kusari-Lila i siguroi se hapi i parë që do ndërmerr si kryetare është “lufta e hapur dhe e pa kompromis ndaj haraqit dhe çdo dukurie që kjo qeverisje ka instaluar në Gjakovë”, si dhe u shpreh e gatshme për tu bërë aleate e fortë për të zhdukur veprimet e tilla.