Kusari-Lila e Lekaj shkojnë në balotazh
Gjakovë- Vetëm disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit, në tërë komunën e Gjakovës, Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka dalur me rezultatet preeleminare, të cilat tregojnë se Gjakova do të shkojë në balotazh me 1 dhjetor , garë që do të zhvillohet mes Mimoza Kusari – Lilës nga AKR dhe Pal Lekajt nga AAK.
Sipas këtyre rezultateve, të nxjerura nga mbi 90 përqind e kutive të votimit, kandidatja Kusari – Lila prinë me 16 mijë e 767 vota apo 41.86 përqind i ndjekur nga Pal Lekaj i AAK-së me 14 mijë e 726 vota apo 36.77 përqind. I treti është rradhitur kandidati i PDK-së Hajdar Beqa me 5 e mijë e 24 vota apo 12.54 përqind, të ndjekur nga Luan Gola i LDK-së me 2 mijë e 792 vota apo 6.97 përqind dhe Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes me 742 vota apo 1.85 përqind të votuesve.
E para se KQZ-ja të dalë me këto rezultate, të njejten gjë e kanë bërë edhe dy kandidatët për kryetar, Mimoza Kusari – Lila dhe Pal Lekaj. Përderisa Lekaj ka deklaruar se ai ka fituar pa balotazh me rreth 51 përqind, Kusari – Lila ka thënë se do të ketë balotazh dhe se ajo po prin me 45 përqind karshi Lekajt që ka 35 përqind.
Në një konferencë të mbajtur në mesnatë, Kusari – Lila ka thënë se megjithatë është e lumtur që AKR-ja ka dalur partia e parë dhe që më në fund është arritur synimi i tyre për të qenë prijës në Gjakovë. Kusari – Lila është shprehur e bindur se ajo do të fitojë bindshëm në garën e balotazhit.
Me rreth 90 përqind të kutive të numëruara, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nxjerrur edhe rezultatet preeleminare për Asamblenë komunale me këtë renditje: AAK-LDD me 24,22%, AKR me 22,93%, PDK me 16,23%, LDK me 14,73%, PSHDK me 10,02%, Vetëvendosje me 5,56%, Partia e Drejtësisë me 2,57%, PDI me 1,81%, IRDK me 1,06%, Lëvizja për Bashkim me 0,51%, Balli Kombëtar i Kosovës me 0,21%, PSD me 0,13% dhe Iniciativa Qytetare Serbe me 0,02%./radiogjakova/