Historia nis me barazim, Kosova pa gola me Haitin
Mitrovicë- Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore me lejen e FIFA-s kundër Haitit. Përkundër rasteve të shumta të lojtarëve të Albert Bunjakut ata nuk arritën të shënojnë ndonjë gol dhe të gëzojnë 18 mijë të pranishmit në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Haiti ishte një kundërshtar i dobët, por që arriti të rezistojë për 90 minuta. Bunjaku kishte hedhur në fushë një formacion sulmues e cila ishte e suksesshme vetëm në ndërtimin e aksioneve, pasi finalizimet munguan. Gjatë gjithë ndeshjes haitianët regjistruan vetëm tre goditje në portë, duke mos pasur forcë të rrezikojnë seriozisht portierin e Kosovës, Samir Ujkani.
Pjesa e parë – Gjendja e stadiumit të Mitrovicës ishte e rënduar pas motit jo të mirë në Kosovë. Hapësirat me baltë ishin shkaktare të shumë ndërprerjeve të aksioneve të të dyja palëve. Fillimisht në minutën e 3-të Kosova nis një kundërsulm të shpejtë me Bunjakun i cili rrëzohet duke humbur mundësinë e parë në takim. Në minutën e 12-të Shpëtim Hasani arrin të gjuajë, por portieri i Haitit, Zaphiri ishte i vëmendshëm. Kosova arriti të krijojë më shumë raste shënimi, pavarësisht se topin më shumë e qarkulluan mysafirët.
Në minutën e 25-të dhe të 27-të vendasit dështuan të arrijnë golin e parë nga pak metra. Fillimisht Bunjaku pasi pranon një top nga Hasani i cili edhe mund të godiste vetë, por zgjodhi mundësinë tjetër që doli të mos ishte më e mira. Më pas Azemi në portën bosh nuk arriti të shënoj, pasi topi preku këmbët e njërit prej mbrojtësve të Haitit. Azemi edhe një herë bëhet protagonist i cili depërton bukur nga e majta, por Bunjaku që pranoi topin nuk u tregua i vëmendshëm. Pesë minuta para se të mbyllej pjesa e parë, sulmues i Kosovës Azemi lëshon edhe mundësinë e tretë personale.
Pjesa e dytë – Në 45 minutat e fundit të takimit tifozët pritën golin e parë të Kosovës që nuk erdhi asnjëherë. Pas rasteve të mira në pjesën e parë dhe lojës së kënaqshme, Kosova pësoi në ritëm duke bërë që të mos jetë e njëjta edhe në pjesën e dytë. Ky fraksion loje nisi me tre zëvendësime për Haitin, ndërsa Bunjaku vazhdoi me të njëjtën përbërje. Ardian Gashi rrezikon nga goditja e lirë, por topi shkon pranë portës. Edhe Kristian Nushi kroson bukur nga e majta, por u vonua Azemi.
Tekniku i Kosovës u mundua të freskojë repartin ofensiv duke nxjerrë nga loja Bunjakun dhe Azemin për t’i zëvendësuar me Toskin dhe Bytyqin. Ky i fundit i krijoi një rast të mirë Hasanit, por devijimi nuk kishte forcën e mjaftueshme për t’u futur në rrjetë. Në minutën e 85-të Kosova orienton forcat e veta edhe më tepër në sulm, por terreni që ishte rënduar edhe më shumë ishte një pengesë e madhe. Edhe 17-vjeçari Bytyqi pati rast të artë kur doli përballë portierit në minutën e fundit, por topi shkon lart portës. Ndeshja mbyllet 0-0, por ky është vetëm një fillim për Kosovën të cilës i munguan vetëm golat për t’i zgjatur festën futbollit kosovarë i cili kishte dekada në izolim.










