Vëllaznimi zhgënjen në shtëpi, fiton Istogu
Gjakovë- Rreth 4 mijë adhurues të futbollit që këtë të diele pasdite kishin mbushur tribunat e stadiumit të qytetit për të përjetuar atmosferën e fillimit të stinorit pranveror, por në fund të ndeshjes u ndanë të dëshpëruar, sepse Vëllaznimi pësoi humbje 0:1 në lojë me Istogun.
Gjithçka filloi me festë, me këngë e brohoritje të tifozëve gjakovarë dhe të një grupi tifozësh nga Istogu. Këndoi edhe Jeton Cermjani, ndërsa kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila përgëzoi futbollistët për suksese në gara. Klubi i dhuroi një fanellë me numrin 1.
Mjaft simpatik ishin vogëlushët e shkollës së futbollit ‘Make Up’ që barten pankart me mbishkrimin ‘Urime Besnik Hasi, krenaria e Gjakovës’ me rastin e marrjes së timonit në klubin e famshëm belg, Anderchleht.
Gjithë kjo ishte atraktive, pos lojës së futbollistëve të cilët dëshpëruan me lojë. As rastet e qind për qindta, siç ishte ai i Rudit nuk u konkretizuan. Dukeshin të lodhur dhe të papërgatitur. Në anën tjetër Istogu tregojë përgatitje më të mirë, angazhim shumë të madh dhe dëshirë për rezultat të favorshëm.
Derisa ata mbroheshin për rezultat të barabartë dhe dukej të ishin të kënaqur me një pikë, pakujdesia e mbrojtjes së Vëllaznimit dhe goli me roveshatë u solli tri pikë.
Humbja e Vëllaznimit është sinjal i kuq se duhet ndërmarrë masa të shpejta për të përmirësuar lojën, për ta bërë sulmin më efikas dhe mbrojtjen më të sigurt./radiogjakova/