.
Published On: Tue, Dec 30th, 2014

Shpëtim Ahmetaj shpallet “Sportisti i vitit 2014”

Share This
Tags

sportisti-vititShpëtim Ahmetaj, kampioni botërorë në Kik Boks, është shpallur sportisti i vitit nga Komuna e Gjakovës.

Në listën e dhjetë sportistëve më të mirë të Gjakovës u radhiten edhe portieri Altik Muhaxheri i K. F. Vëllaznimi, basketbollisti Genti Zeka i K.B. Vëllaznimi, portieri i hendbollit Arbër Curri nga K.H. Vëllaznimi, hendbollistët Elma Kamberi nga K.H. Vëllaznimi dhe Valerina Malaj nga K.H. Shqiponja, pastaj basketbollistja Ilda Zeka nga K.B. Vëllaznimi, futbollisti Arbër Dobroshi i FC Liburn, Sali Riza, kërcyes në ujë nga Ura e Fshenjtë, si dhe futbollisti i KF Luftëtari, Robert Berisha.

Në njoftim thuhet se komisioni shpalli edhe klubin më të mirë për këtë vit, epitet ky që i takoi klubit të basketbollit Vëllaznimi, ndërsa epiteti i trajnerit më të mirë i takoi Hashim Rracit, nga po ky klub.

Gjyqtarët më të mirë u zgjodhën Ilir Bytyqi dhe Syart Kasapi, dyshja e gjyqtarëve të hendbollit që kanë referuar edhe në garat ndërkombëtare. Punëtori sportiv u shpall Fadil Gjoshi i KB Vëllaznimi ndërsa mbështetësit e sportit gjakovar u shpallën Abaz Beqa, Artan Nimani dhe Skender Alija.

Përpos kësaj, komisioni për zgjedhjen e sportistëve të vitit, me mirënjohje nderuan edhe talentet e rinj që kanë arritur suksese gjatë vitit 2014, siç janë karateisti Valnor Mehmeti në kategorinë e fatosave, futbollisti Ermal Shunjaku, kadetja skitare Fjolla Xharavina dhe juniori Arbes Kusari.

Për rezultate të mira u nderuan Shkolla e Futbollit “Gjakova” dhe Shoqata e Bjeshkatarëve “Pashtriku”.

Si në çdo vit, edhe me këtë rast, komuna e Gjakovës ka nderuar me mirënjohje edhe veteranët e sportit.

Këtë radhë me këtë epitet u nderuan Luljeta Kaqi Vuniqi, ish basketbolliste, Fitnete Pruthi Morina, ish hendbolliste, si dhe kërcyesja e vetme femër nga Ura e Mostarit dhe kampione nga Ura e Fshenjtë, Gongje Xhiha Basha.

Manifestimi i zgjedhjes së sportistit të vitit me organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sporte të Gjakovës u mbajt në skenën e programit festiv “Gjakova feston”, në “Namazgjahun” e Gjakovës, i shoqëruar me një program artistik ku ishin edhe mysafirët special, boksierët Haxhi Krasniqi dhe Arnold Gjergjaj si dhe futbollisti Granit Xhaka.

Në nderim të sportistëve kulminantë që po bëjnë hapa shumë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila ka shprehur falënderime publike për sukseset që bëjnë të mburremi me sportistët dhe njëherit ka ndarë mirënjohje të veçanta, me urimet që sukseset të jenë vazhdimësi si dhe rritje për gjithë sportistët tanë.