.
Published On: Mon, Feb 23rd, 2015

Vëllaznimi s’i ka kryer ende testet mjekësore

Share This
Tags

vellaznimi-stervitjeFutbollistët e Vëllaznimit nuk i kanë kryer ende testet mjekësore, të cilat janë të obligueshme para fillimit të sezonit e pa të cilat ky ekip s’mund të marrë pjesë në gara. Edhe këtë obligim, futbollistët s’duan ta kryejnë pa u mbushur mirë xhirollogaria e tyre bankare, pasi kryesia e klubit ua ka katër rroga borxh.

“Ne nuk e kemi kryer as shikimin mjekësor dhe nuk do të pranojmë ta bëjmë një gjë të tillë derisa të na kryhen obligimet. Jemi të vendosur kategorikisht të mos i ndryshojmë qëndrimet tona”, thotë i vendosur trajneri Genc Hoxha për Zërin.

Hoxha: Boll kemi vuajtur!

Trajnerin Hoxha e vret fakti se Vëllaznimi po i vuan çdo vit problemet e natyrës financiare. Ai thërret të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë klubin, që kjo vuajtje të marrë fund, pasi futbollistët dhe shtabi teknik janë lodhur.

“Kryesia duhet ta dijë një herë e përgjithmonë se Vëllaznimi nuk duhet të vuajë çdo sezon në aspektin financiar. Unë e kam marrë përgjegjësinë t’i përfaqësoj lojtarët dhe shtabin teknik në kërkesat tona pasi e dua këtë klub, sepse është klubi i fëmijërisë sime. Kështu që, ne kërkojmë mbështetje dhe të dalim nga kjo situatë, një herë e përgjithmonë. Gjithashtu, ne në kërkesat dhe vendosmërinë tonë e kemi edhe mbështetjen e Kuqezinjve të Jakovës”, vazhdoi trajneri gjakovar për Zërin.

Hoxha u ka dhënë pushim futbollistëve të hënën, por ky pushim mund të zgjasë, nëse kryesia nuk lëviz./zeri/