Vëllaznimi vazhdon përgatitjet, të mërkurën luan miqësore
Skuadra e Vëllaznimit të mërkurën në Gjakovë do të luajë ndeshjen e parë miqësore me KF Onix, anëtar i Ligës së Parë.
Aktualisht rreth 30 futbollistë po stërviten në stadiumin e qytetit nga dy herë në ditë dhe kryesisht janë përqendruar tek përgatitjet fizike duke u kombinuar edhe me lojën me top për të kaluar në fazën vijuese ku më tepër do të ketë përgatitje teknike dhe taktike të lojës.
Ndërkohë, edhe pse ishte fare pranë marrëveshjes me Vëllaznimin, futbollisti Arbër Prekazi në momentin e fundit ka vendosur që të nënshkruajë për Feronikelin.
Megjithatë kryesia e Vëllaznimit është në kërkim të emrave të tjerë të futbollistëve cilësorë. Deri më tash skuadrës kuqezi i janë bashkuar Samir Sahihti, Granit Osmanollaj, Seimir Zeneli dhe Alban Dragusha.
Trajneri i ri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, thotë se se një kombinim i futbollistëve me përvojë dhe talentëve të rinj jep një garancë për një përbërje cilësore të skuadrës që me sukses pritet të marrë pjesë në garat e edicionit të ri të Superligës së futbollit të Kosovës. /radiogjakova/