Gjithçka gati për kërcimet nga Ura e Fshejtë
Të dielën tek Ura e Fshejtë do të mbahen kërcimet atraktive në stilin dallëndyshe dhe kërcim në këmbë. Organizatorët kanë thënë se gjithçka është gati për mbajtjen e këtij aktiviteti unik jo vetëm në vendin tonë.
Artan Muhaxhiri nga OJQ “Time Out” që është bashkëorganizatore me Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit, njoftoi se të dielën do të prezantohen edhe dy pulla postare dedikim kësaj gare.
Trajneri i klubit të kërcimit “Bridge Diving”, Avdyl Osmani tha se ka shumë të rinj të interesuar për të kërcyer, por mungojnë kushtet. Duke folur për përgatitjet, ai tha se më shumë janë stërvitur në pishina.
Garat e kërcimeve nga Ura e Fshejtë këtë vit do t’i dedikohet tri legjendave: Ali Podrmija, Besim Mulliqi dhe Sali Riza Gërqina.
Për të nderuar tre ish-kërcyes, ka ardhur edhe kampioni i shumëfishtë i kërcimeve nga Ura e Fshejtë dhe ajo e Mostarit, Kujtim Gorani.
Edhe pse asnjëherë nuk ka garuar drejtpërdrejt kundër asnjërit prej këtyre ish-kërcyesve, Gorani ruan kujtime dhe respekt të madh për ta.
Organizatorët kanë kërkuar nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të kenë mirëkuptim, pasi të dielën segmenti i rrugës te Ura e Fshejtë prej orës 16:00 do të bllokohet për sigurinë e garuesve./radiogjakova/