Maratona në sprintin final të përgatitjeve
Kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në mbajtjen e edicionit të dytë të Maratonës së Malësisë së Gjakovës. Organizatorët janë në fazën finale të përgatitjeve, ku po regjistrohen edhe pjesëmarrësit.
Artan Haraqija, nga grupi organizativ, tha se janë të kënaqur me interesimin e garuesve, ndërsa shtoi se tashmë maratona ka karakter ndërkombëtar për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve të huaj që vijnë në Gjakovë veçanërisht për këtë maratonë.
“Përgatitjet janë intensive, ndërsa vazhdon regjistrimi i garuesve. Jemi të kënaqur me interesimin. Pjesa më e madhe e atyre që janë regjistruar janë të huaj, jo që jetojnë në Kosovë, por që vijnë vetëm për maratonën”, u shpreh Haraqija.
Sa i përket regjistrimit, të interesuarit mund ta bëjnë një gjë të tillë përmes ëebfaqes së maratonës, ndërsa më 1 tetor do të hapen edhe pika e regjistrimit në qytetet kryesore të Kosovës.
Sa i përket garës, edhe këtë vit është paraparë vrapimi në tri disiplina, ndërsa kauza është bazuar në fushatën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të titulluar “He for She”, fushatë kundër pabarazive gjinore.
Në mesin e garuesve, në Maratonën e Malësisë së Gjakovës, pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë lokalë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ajo e Shkodrës, Voltana Ademi./radiogjakova/