.
Published On: Wed, Sep 20th, 2017

Të enjten nis fushata, 7 kandidatë për kryetarë e 322 për Asamble

Share This
Tags

Prej ditës së enjte fillon periudha e fushatës elektorale për subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit . Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor periudha e fushatës së zgjedhjeve do të zgjasë 30 ditë dhe përfundon një ditë para ditës se zgjedhjeve lokale.

Brenda kësaj kohe subjektet konkurruese për zgjedhjet lokale do të kenë mundësi të shpalosin programet e tyre, ndërsa njejtë do të veprojnë edhe kandidatët për anëtarë të Asamblesë Komunale.

Pothuajse në të gjitha zgjedhjet gara për kryetar komune të Gjakovës ka qenë shumë e ngushtë dhe ngjashëm pritet të jetë edhe këtë vit . Janë shtatë kandidatë për kryetar komune.

Edmond Dushi nga AKR, Ardian Gjini nga AAK, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, Bekim Ermeni nga LDK, Fazli Hoxha nga Nisma për Kosovën, Ramadan Hoti nga PDK dhe Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq për Asamblenë Komunale të Gjakovës, që ka 35 ulëse do të garojnë 322 kandidatë nga 13 subjekte të ndryshme politike.

Partitë që do të garojnë janë: AKR, AAK, Alternativa, Fjala, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, LDK, Nisma për Kosovën, Organizata e Ballit Kombëtar Demokrat, PDK, Partia e Drejtësisë, Partia Liberale Egjiptiane dhe PSHDK.

Nga 322 kandidatë që do të kërkojnë votën e qytetarëve të komunës së Gjakovës, 115 janë femra. Nga legjislatura aktuale, rreth 20 asambleistë do të kërkojnë të marrin besimin edhe për një tjetër mandat./radiogjakova/