Pëfundon bojkoti, futbollistët e Vëllaznimit i rikthehen stërvitjeve
Pas dy dite është mbyllur bojkoti i futbollistëve të Vëllaznimit që erdhi për moskryerje të obligimeve financiare. Të martën dhe të mërkuren futbollistët nuk dolën fare në ushtrime.
Kryetrajneri Ismet Munishi pasi ishte solidarizuar me futbollistët kishte deklaruar se bojkoti do të zgjasë derisa t’i marrin pagat. Por, pas një marrëveshje mes kryesisë dhe futbollistëve, të enjten pasdite kanë vazhduar stërvitjet që për shkak të shiut janë realizuar në stadiumin tek Pallati i Sporteve “Shani Nushi”.
Këtë marrëveshje e ka konfirmuar edhe kapiteni i skuadrës “kuq e zi”, Albutrint Morina. Ai ka thënë se u janë dhënë premtime që pagat do ti marrin deri në fund të këtij muaji.
Kapiteni Morina u shpreh optimist se edhe përkundër telasheve që kishin këtë javë, janë të gatshëm për përballjen e së shtunës me Llapin në Podujevë në kuadër të javës së 6 të Superligës.
Llapi dhe Vëllaznimi janë takuar dy herë në Ligë të Parë, ndërsa nga një fitore e kanë të dyja ekipet. Fitorja më e thellë i ka takuar skuadrës së Vëllaznimit me rezultat 5 me 1 në Gjakovë, ndeshje kjo e zhvilluar në vitin 2013./radiogjakova/