.
Published On: Wed, Jan 17th, 2018

Cana: Vëllaznimi do të rikthehet si skuadër e madhe

Share This
Tags

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini priti pasditen e së mërkurës presidentin e ri të klubit Vëllaznimi, Agim Cana si dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Në këtë takim u diskutuan ndryshimet në organikën e ekipit kuqezi si dhe investimet që pritet të bëhen në të ardhmen.

Gjini tha se Komuna është e interesuar që Vëllaznimin ta shndërrojë në shoqëri aksionare për çka, sipas tij, kanë nisur konsultimet ligjore që do të përcaktojnë procedurën.

“Komuna është e interesuar që të heqë dorë dhe ta shndërrojë Vëllaznimin në shoqëri aksionare, pasi duke i dhënë dorë të lirë mendojmë se e ndihmojmë më shumë. Ne, zt. Cana dhe zt. Vokrri kemi nisur konsultimet ligjore në mënyrë që të respektohet ligji dhe gjithçka të jetë transparente”, u shpreh Gjini.

Ai gjithashtu shtoi se po pret me padurim që të nisë puna e kryesisë së re dhe të shoh ndryshimet pozitive në klub. Emërimin e Agim Canës në krye të Vëllaznimit, Gjini e quajti lajm të mirë për Gjakovën.

“Dua të nis sa më shpejtë puna dhe të mos diskutojmë më për rënie nga liga, por për trofe. Të rikthehet Vëllaznimi që të gjithë e kemi njohur e që e duam. Mendoj se emërimi i zt. Cana në krye të Vëllaznimi është një i lajm i mirë për të gjitha aspketet për Gjakovën”, deklaroi Gjini.

Në fjalën e tij, presidenti i ri i Vëllaznimit, Agim Cana, u shpreh se qëllim parësor është të përmirësojë gjendjen e tanishme në klub, ndërsa shtoi ditët e ardhshme do të emërojë bordin e ri të klubit.

“Në këto kushte që jemi do të shohim mundësi që të rehabilitojmë klubin dhe të zgjidhim disa probleme. Hapi i ardhshëm do të jetë emërimi i bordit, pasi trajneri tashmë ka nisur punën”, tha Cana.

I pyetur për të interesuar të tjerë për të investuar në klub si aksionarë, Cana u shpreh se për këtë do të flitet më vonë. Ai deklaroi se synon që klubi të ketë një organizim profesional. Cana shtoi se nëse gjithçka ecën sipas planeve Vëllaznimi do të rikthehet si një skuadër e madhe.

“Kur të ndryshohet statusi i klubit, atëherë do të flasim për aksionarë. Mendoj se do të ketë të interesuar. Qëllimi im i parë është që të fusim pak profesionalizëm në klub, pasi futbolli është një fushë e gjerë dhe dua që gjërat t’i bëjmë siç duhet. Nëse gjithçka shkon sipas planeve jam i sigurt se do të rikthehet Vëllaznimi si një skuadër e madhe dhe do të rikthehet euforia e tifozëve gjakovarë”, tha ai,

Ndërsa, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri tha se është i lumtur me ndryshimet e fundit në klubin kuqezi, ndërsa u shpreh se futbolli kosovar ka nevojë për një Vëllaznim të fortë.

Ai njoftoi se me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës nëpër klube është paralajmëruar që në ditët e ardhshme të organizohet një takim i përbashkët me 12 kryetarët e komunave, Ministrisë së Sportit dhe FFK-së ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini./radiogjakova/