Një vit pas lëndimit të tmerrshëm, Drilon Nuza i rikthehet stërvitjeve
Pas një viti jashtë fushës së blertë për shkak të lëndimit të rëndë, skuadrës së Vëllaznimit i është rikthyer në stërvitje sulmuesi Drilon Nuza.
Në ndeshjen me Flamurtarin e Prishtinës, Nuza ishte lënduar rëndë nga një ndërhyrje e pakontrolluar e mbrojtësit të skuadrës mysafire duke ia thyer në dy vende këmbën dhe duke e lënë jashtë fushës për një vit.
Nuza së fundmi ika nisur stërvitjet, por i veçuar nga grupi i futbollistëve të tjerë të Vëllaznimit dhe nën mbikëqyrjen e ekipit mjekësor deri në rikuperimin e plotë.
“Në prill të vitit të kaluar ndodhi ky lëndim i rëndë i cili më ka frenuar punën dhe karrierën. Rikuperimi ka ecur mirë, edhe pse ka qenë një lëndim i tmerrshëm. Falë ndihmës së ortopedit Fisnik Vula tani kam nisur edhe stërvitjet. Por, ka qenë një lëndim që nuk do t’ia uroja asnjë futbollisti”, tha Nuza.
Ai nuk e di se kur mund të kthehet në fushë, edhe pse thotë se ky është qëllimi i vetëm. “Ëndërroj që të kthehem shpejtë, pasi çdo futbollist dëshiron të luaj”, vijoi Nuza.
Duke folur për klubin, Nuza është i bindur se Vëllaznimi do të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe vitin e ardhshëm.
“Me ndryshimin e kryesisë dhe ardhjen e Agim Canës jam i bindur se do të përmirësohen kushtet në klub. Besoj se do të arrijmë të sigurojmë mbijetesën, ndërsa vitet e ardhshme të arrijmë edhe suksese më të mëdha”, tha Nuza./radiogjakova/