AAK hap fushatën, Gjini: Bashkë për një Gjakovë më të mirë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryetar të komunës nga ky subjekt, Ardian Gjini, hapën fushatën elektorale në Gjakovë.
Në fjalën e tij para simpatizantëve, Gjini bëri apel për unitet, pasi sipas tij, është hapi i parë për të pasur sukses. Ai shtoi se përgjatë një muaji do të takohet me çdo qytetar për t’i shpalosur programin e tij për qeverisjen në Gjakovë.
“Në këto tre vitet e fundit, së bashku me bashkëpunëtorë, kemi vizituar çdo rrugë dhe lagje në qytet e fshat. Kemi diskutuar me njerëz, kemi parë gjendjen në terren dhe në bazë të këtyre kemi përpiluar programin”, tha Gjini.
Kandidati për kryetar nga radhët e AAK-së tha se tashmë ka mbështetjen edhe të kryeministrit Haradinaj i cili dëshiron që të çojë përpara projektet për Gjakovën.
“Programi im për Gjakovën -tha Gjini- është për ta bërë një komunë më të mirë për të gjithë gjakovarët që jetojnë këtu”.
Më pas, Gjini prezantoi edhe 38 kandidatët për Asamble komunale për të cilën listë tha se përfaqëson më së miri komunën e Gjakovës.
Në këtë takim hapës të fushatës elektorale mori pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu./radiogjakova/