AAK pranon humbjen
Prishtinë- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka pranuar humbjen e zgjedhjeve në dy komunat e Dukagjinit, Pejës dhe Gjakovës. Në një konferencë me gazetarë, zyrtarë të AAK-së për humbjen e zgjedhjeve e kanë fajësuar qeverinë qendrore.
Besnik Tahiri nga AAK-ja, ka thënë se në raundin e dytë të zgjedhjeve AAK-ja ka arritur të fitojë komunën e Obiliqit. Sipas Tahirit, Peja dhe Gjakova, në gjashtë vitet e fundit, kanë qenë një shembull i mirë i qeverisjes lokale.
“Kanë qenë në një pozicion tepër të vështirë sepse nuk kanë pasur një mbështetje nga qeveria qendrore dhe se dihet se si funksionojnë komunat, të cilat nuk kanë mbështetje nga qeveria qendrore”, ka thënë ai. Po ashtu, ai i ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të qetë dhe të mirë.
Tahiri e ka uruar Agron Kuçin dhe Xhafer Gashin për fitoret e tyre, duke iu uruar qeverisje të mbarë në mandatin e ardhshëm. Megjithatë, pa i falënderuar nuk i ka lënë anash as humbësit e garës, Pal Lekaj, dhe Ali Berishën. Gjithashtu, ai ka falënderuar edhe Smajl Latifin në Rahovec, Bali Muharremin në Suharekë për punën e tyre që e kanë bërë gjatë gjithë fushatës.
“Edhe pse ne nuk jemi të kënaqur për rezultatet të cilat janë arritur në këto komuna, megjithatë ne mund të themi me gojë plot se në komunat të cilat kemi qeverisur deri më tani, nuk është ndëshkuar qeverisja e keqe, sepse aty ka qenë një qeverisje e mirë. Mirëpo, siç ka thënë Ali Berisha, garuesi për Pejën, pushteti në një formë të konsumon. Por, mbi të gjitha këta kryetarë të cilët i kanë udhëhequr komunat e ndryshme, kanë pasur shumë pak mbështetje nga qeveria qendrore”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Aleanca, si subjekt politik në nivel vendi, ka pasur ngritje edhe nga rezultati i vitit 2009, por edhe nga rezultati 2010. “Në nivel Kosove, për ansamble kemi diku 105 mijë vota, ndërkaq në nivel të kryetarëve i kemi diku 120 mijë vota, e që nga kjo nënkuptohet se ne jemi subjekti i tretë në nivel vendi. Megjithatë rezultati që ka ardhur nga balotazhi dhe ky rezultat i komunave do të jetë një moment ku ne do të reflektojmë dhe do të bëjmë një analizë dhe vlerësim pas një kohe në mënyrë që ne si Aleancë të vazhdojmë më tutje”, ka thënë ai./zeri/