.
Published On: Tue, Feb 11th, 2014

Alkenti, njeriu që bën art me fruta

Share This
Tags

alkenti-1Bostani, pjepri, rrushi…  për ne janë vetëm fruta, të shijshëm dhe të mirë për shëndetin, por dikush i sheh me një sy tjetër, për t’i shndërruar në diçka të pabesueshme për një njeri që nuk arrin të bëjë këtë punë. Duart e arta të Alkent Pozhegut u japin atyre formën që ai dëshiron.

Pasi kishte filluar punën me hoteleri, pasioni për gdhendjen e frutave erdhi duke u rritur kur pa një tjetër që e bënte këtë punë. Ai rrëfen momentet e para kur nisi të mendojë për artin të cilin e ushtron sot. “Në Alania të Turqisë ishte hera e parë që pashë një punë të tillë. Aty gjeta mënyrën e realizimit të idesë që më qëndronte në mendje që nga mosha fëmijërore”, tregon Alkenti. Ai thotë se mes tij dhe mjeshtrit turk që gdhendte frutat nisi një miqësi. Ata filluan të shkëmbenin përvojat e tyre, Alkenti atë të hotelerisë, ndërsa ustai turk i zbulonte sekretet nga zanat i tij.

Pas kthimit të tij nga pushimi, Alkenti fillon ta provojë vetën, duke shikuar interesimin e njerëzve dhe mundësitë që një punë të tillë ta realizojë këtu. Edhe pse me vështirësi, në mungesë të mjeteve të duhura, ai e filloi punën në shtëpi. Çdo herë e më shumë duke u përmirësuar. Me perfeksionimin e tij rritej edhe interesimi i klientëve. Me një përkushtim të madh, punë të palodhshme ai u mundua ta fusë në treg dekorimin e frutave.

Ja ka marrë mirë dorën kësaj pune dhe sot ai është mjeshtër  i artit me fruta, për të cilën njihet jo vetëm në Gjakovë por edhe më gjerë. Ai punon në çdo stinë të vitit edhe pse sezoni i dimrit nuk është i lehtë për të, pasi që bie në vështirësi për t’i siguruar disa nga frutat. “ Dimri është pak më problem, duhet të bëj përpara porosinë që të më vijnë frutat dhe pastaj ta kryej punën, si dhe çmimi është më i lartë duke u rritur kështu dhe çmimi i ofertës”, thotë ai.

alkenti3

Në ditëlindje, dasma, promovime lokalesh apo evenimente të tjera kemi rastin të shohim mjeshtërinë e Pozhegut. Mirëpo ai nuk e ka lënë me kaq, për 22 orë bëri dekorime me rreth 407 kg fruta duke mbushur kështu një tavolinë të gjatë 30m, duke tentuar të hyjë në librin e rekordeve Guinness. Ideja për të sfiduar vetën për Guinness erdhi rastësisht. “Isha në një dasmë të madhe, tavolina të gjata të mbushura me ushqime, në atë çast mendova, një tavolinë e gjatë afro 30m plotë me dekorime të frutave është një mënyrë e mirë për promovimin e punës sime”, tha ai.

Këtë ide ai ua tregoi dhe një shoqate të kuzhinierëve të hotelerisë në Tiranë duke marrë nga ata idenë e thyerjes së rekordit, edhe pse ky nuk ishte qëllimi i Alkentit. Edhe pse ideja nuk u mirëkuptua, prapë se prapë mbetet një iniciativë e veçantë dhe e bukur.

Ka kaluar një kohë dhe Alkenti planifikon të bëj dhe një tentim tjetër, më të fortë se herën e parë. “E kam dhe një ide tjetër sa i takon librit Guinness, mendoj ta realizoj nga fillimi i pranverës , më kanë mbetur vetëm dhe disa pika të detajuara”, zbulon për ne Pozhegu. Ai ende nuk ka përkrahjen e sponsorëve, por do të mundohet që ta bëj me forcat e tij.

Pavarësisht vështirësive mjeshtri i dekorimit të frutave është shumë i frymëzuar, ka ide dhe projekte që pret t’i realizojë. Ndërsa ne nuk këmbëngulim që të zbulojë shumë gjëra, pasi ajo duhet të jetë befasi për të gjithë./radiogjakova/

Eli Bytyqi

alkenti2