Bakija: Ata që duan ta manipulojnë voten, le ta heqin nga mendja
Gjakovë- Në fjalimin e saj që zgjati rreth 15 minuta, Kryeprokurorja e Prokurisë Themelore së Gjakovës, Shpresa Bakija ka përmendur mbi 5 herë togfjaleshin “keni kujdes” drejtuar kryesuesve të Këshillave të Vendvotimeve të cilët i paralajmëroi se drejtësia s’do ketë mëshirë për ta në rast se tentohet të manipulohet vota.
“Ata që e kanë ndërmend të manipulojnë voten, le ta heqin këtë gjë nga koka e tyre se do të përballen me drejtësinë. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë vullnetin e tij larg çdo presioni, kërcënimi, shantazhi apo dhunimi të kësaj të drejte”, u shpreh Bakija.
Ajo ju ka rikujtuar të pranishmëve, që të dielen do jenë në krye të Këshillave të Vendvotimeve, rastet e mëparshme të manipulimeve të votave dhe dënimet që janë shqiptuar e pritet të shqiptohen.
Kryeprokurorja në detaje ju ka treguar për Kodin e ri penal dhe dënimet që përfshihen duke theksuar se dënimi nuk është vetëm për ata që kryejnë veprimin e ndaluar, por edhe për ata që bëhen dëshmitarë dhe nuk e ndalojnë një gjë të tillë.
Kaq i ashpër u tregua edhe Kristë Gjokaj, komandant i Polisicë së Kosovës, stacioni në Gjakovë, i cili u betua se vartësit e tij nuk duan t’ja dinë kush kryen vepren, por ai do çohet në burg.
“Ju betohem se të gjithë ata shkelës ose ata që tentojnë të shkelin ligjin rezultatet e para do t’i presin bashkë me ne në një vend ku për ju nuk është edhe aq i mirë”, u shpreh Gjokaj.
Komandanti tha se nga e shtunja rreth 200 policë janë angazhuar në teren dhe të dielen cddo vendvotim do ketë nga dy policë statikë permanent që do rrinë aty, por shumë njësi tjera të gatshme për intervenim përfshirë edhe njësinë speciale. Gjokaj ka paralajmëruar se do ketë edhe policë me rroba civile që do monitorojnë vendvotimet.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Xhevdet Bytyqi ju ka uruar për një dite pune të mbarë gjithë të përfshirëve në procesin zgjedhor, ndërsa kryesuesve të Këshillave të Vendvotimeve ju ka rikutjuar përgjegjësine dhe peshen që kanë ata të dielen./radiogjakova/