Beqa takime me veteranët dhe pensionistët: Do ju trajtojmë siç e meritoni
Gjakovë- Kategoritë e dalura nga lufta dhe pensionistët do të jenë dy kategoritë që nga qeverisja lokale do ta kenë përkujdesim e veçantë dhe dukshëm më të mirë sesa e kanë pasur deri me tani. Kështu ka premtuar kandidati i PDK-së për kryetar të Gjakovës Hajdar Beqa, gjatë vizitave që i ka pasur në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së dhe në organizatën e pensionistëve.
Duke folur para veteranëve të luftës, Beqa ka thënë se e llogaritë vetëm si njëri nga ta, prandaj edhe trajtimi për ish – bashkëluftëtarët e tij do të jetë dukshëm më i mirë, nëse ai arrin të jetë kryetar i Gjakovës. Ai ka shtuar se synim kryesor për qeverinë e ardhshme lokale do të jetë zgjidhja e problemit të shtrehimit për veteranët e luftës, problem që është ndër më të të mëdhenjtë për ta.
Edhe në Shoqatën e Pensionistëve Beqa ka premtuar se për pensionistët gjakovarë do të krijojë kushte më të mira. Duke e e pranuar faktin se çështja e pensionistëve është kryesisht çështje e nivelit qendror, Beqa ka premtuar se megjtiahtë si kryetar komune do të kujdeset që pensionistëve gjakovarë t’u krijojë kushte më të mira në ambientet e tyre, heqje të pageses për transportin publik e beneficione tjera që janë në kompetencë të komunës.
Në të dyja takimet Beqa ka fajësuar qeverinë e deritashme lokale për gjendjen e rëndë të këtyre dy kategorive, ndërsa duke bërë krahasime ka thënë se këto kategori njerëzit që jetojnë në komunat që i udhëheqë PDK-ja, kanë kushte shumë më të mira se ata që jetojnë në Gjakovë./radiogjakova/