Bytyqi e Kasapi, gjyqtarë të EHF
Gjakova prej tash do të ketë edhe dy gjyqtarë ndërkombëtar në sportin e henbollit. Ilir Bytyqi e Syart Kasapi janë certifikuar si gjyqtarë nga Federata Europiane e Hendollit.
Kjo u mundëson të ndajnë drejtësi në arenën ndërkombëtare. Bytyqi dhe Kasapi prej datës 3 korrik i janë nënshtruar provimeve për të fituar titullin e gjyqtarëve të EHF-it, në një turne ndërkombëtar të hendbollit “European Open” që është mbajtur në Goteborg të Suedisë, ku kanë arritur që ta përfundojnë me sukses, duke u bërë kështu çifti I katërt nga Kosova me nivel të tillë ndërkombëtar.
Gjatë turneut drejtuan disa takime duke treguar perfomancë të shkëlqyer, si dhe kalimin e testeve teorike dhe fizike me vlerësime te larta, çka tregon talentin dhe përkushtimin e tyre për ndarjen e drejtësisë.
Duhet theksuar se ky çift i gjyqtarëve kishin emblemën e EHF-it si gjyqtarë të rinj dhe nga viti 2009 janë pjesë e trajnimeve . Duke pasur parasysh moshën e tyre te re, pritet që në të ardhmen të arrijnë edhe suksese tjera.
Ilir Bytyqi tha për Radio Gjakovën se pas përfundimit të shkollimit si gjyqtarë për kategori të reja tanimë kanë arritur që të fitojnë statusin e gjyqtarëve ndërkombëtarë .
“Ka qenë një punë e gjatë dhe e vështirë për të arritur këtë sukses”, u shpreh Bytyqi./radiogjakova/