.
Published On: Wed, Sep 27th, 2017

Debatohet për pjesëmarrjen e grave në trupat menaxhues zgjedhorë

Share This
Tags

Kandidatët për kryetarë të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, Bekim Ermeni dhe Edmond Dushi morën pjesë në tryezën me temën “Rritja e pjesëmarrjes së grave në trupat menaxhuese zgjedhore”.

Kjo nënkupton përfshirjen e femrave dhe grave si përfaqësuese të partive në Komisionet Komunale Zgjedhore, shtabe zgjedhore, komisionere, vëzhguese, etj.

Kandidatja e Alternativës, Mimoza Ksuari-Lila, tha se gratë ishin ato që bënë ndryshimin në zgjedhjet e kaluara lokale. Ajo u shpreh se mobilizimi i tyre në të gjithë procesin zgjedhor bëri që në fund të fitonte edhe zgjedhjet.

Kandidati i LDK-së, Bekim Ermeni, u shpreh se në listën e komisionerëve të subjektit të tij ka 21% femra. Ai tha se numri mund të mos jetë i mjaftueshëm, por kërkoi bazë ligjore për rregullimin e pjesëmarrjes së femrave në trupa menaxhues zgjedhorë, njëjtë si përfaqësimi në listat e kandidatëve për Asamble apo Kuvend.

Ndërsa, kundër kuotave për përfshirje gjinore ishte Edmond Dushi, kandidat për kryetar nga radhët e AKR-së. Ai tha se femrat dhe meshkujt duhet ta fitojnë vetë të drejtën për t’u zgjedhur, në mënyrë që të mos kemi vetëm numra, por cilësi.

Tryeza “Rritja e pjesëmarrjes së grave në trupat menaxhuese zgjedhorë” u organizua nga organizata “D4D” dhe Kolegji “Universum” në Gjakovë.

Në raportin e prezantuar të kësaj organizate, thuhet se në qendrat e votimit në zgjedhjet e mëparshme ku ka pasur pjesëmarrje më të madhe të grave apo femrave si komisionere, puna ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur asnjë problem, edhe nëse të njëjtat qendra më parë janë etiketuar si “pika të nxehta”./radiogjakova/