.
Published On: Sat, Feb 24th, 2018

Derbi përfundon pa gola, spektakël nga “Kuqezinjtë e Jakovës”

Share This
Tags

Vëllaznimi ka barazuar pa gola në derbin me Prishtinën. Në sfidën që u luajt pasditen e së shtunës në Stadiumin e Qytetit në Gjakovë dy rivalët e vjetër të futbollit kosovar u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Të pranishëm për ta shikuar këtë përballje ishin mbi 4 mijë shikues, të cilët krijuan atmosferë të jashtëzakonshme, pavarësisht se sfida nuk prodhoi asnjë gol.

“Kuqezinjtë e Jakovës” nderuan 6 lojtarët gjakovarë të cilët kanë ose vijojnë të djersisin fanellën e Kombëtares shqiptare përmes një koreografie ku shkruhej “Tradita vazhdon”.

Topi i parë i ndeshjes u nis nga Lorik Cana i cili ishte i pranishëm për ta shikuar këtë ndeshje.

Rastin më të mirë të ndeshjes për Vëllaznimin e pati Dardan Rogovën mirëpo goditjen e tij e priti portieri Bekaj i mysafirëve.

E gjithë ndeshja kaloi pa ndonjë rast tjetër serioz me ekipet që gjatë 90-minutësisht kishin periudhat e tyre të dominimit. Vëllaznimi pretendoi për një penallti në pjesë të parë, por gjyqtari nuk mendoi njëjtë.

Me pikën e fituar sot, Vëllaznimi nuk ndryshon pozicion në klasifikim duke mbetur i nënti me 26 pikë./radiogjakova/