.
Published On: Sun, Mar 18th, 2018

Drita mposht Vëllaznimin në Gjakovë

Share This
Tags

Vëllaznimi ka humbur sfidën e parë në pranverë dhe atë në Gjakovë ndaj Dritës me rezultat minimal 0-1. Goli i Endrit Krasniqit i dha fitoren ekipit gjilanas që e sheh veten në krye të klasifikimit.

Me këtë humbje komplikohen llogaritë e Vëllaznimit për mbijetesë që tashmë mbetet 5 pikë larg vendit të tetë, pozitë kjo që siguron qëndrimin në Superligë duke shmangur edhe barazhin.

Të dy trajnerët u treguan shumë të kujdesshëm në vendosjen e skuadrave dhe mënyrës së si iu qasen lojës duke bërë që të mos ketë shumë mundësi shënimi.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0-0 ndërsa gjatë kësaj periudhe loje veçohet vetëm goditja e Bardhokut për Vëllaznimin dhe mundësia e Limanit për Dritën.

Goli erdhi në minutën e 69 kur pas një krosimi nga e djathta dhe rrëmujes në zonë, më së miri u gjend Krasniqi që futi topin në rrjetë.

Gjërat u vështirësuan më shumë kur Vokshi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtohet nga loja duke lënë Vëllaznimin me 10 lojtarë.

Deri në fund Drita e administroi mirë rezultatin, ndërsa Vëllaznimi pati një mundësi me Grajçevcin por ky i fundit nuk u tregua i saktë me kokë.

Vëllaznimi mbetet në pozitën e nëntë me 31 pikë, ndërsa javën e ardhshme luan në udhëtim kundër Prishtinës. /radiogjakova/