Eros Grezda shpallet “njeriu i ndeshjes”, elozhe nga mediat kroate
Grumbullimet e rregullta në Kombëtare duket se kanë rritur ndjeshëm vetëbesimin e Grezdës edhe te skuadra e tij. Mesfushori kuqezi po tregohet gjithnjë e më shumë lojtar i rëndësishëm me Lokomotivën e Zagrebit.
Këtë e tregojnë jo vetëm minutat ku ai aktivizohet rregullisht si titullar, por edhe golat dhe paraqitjet pozitive. Në ndeshjen e fundit të fituar 4- 1 kundër Cibalës, ai realizoi të tretin gol për skuadrën e tij. Mesfushori, pas ndeshjes, ka marrë edhe elozhet e mediave.
Në fundjavë, mediat kroate e kanë cilësuar atë si “njeriun e ndeshjes”. Këtë vlerësim, të afërm të mesfushorit ia kanë shfaqur në rrjetet sociale, duke u krenuar me paraqitjen e tij në fushën e lojës. Ky ishte goli i katërt i tij gjatë këtij sezoni në kampionatin kroat dhe i pesti në total bashkë me një të realizuar në Kupë./ps/