Fitore ndaj 2 Korrikut, Vëllaznimi bind në miqësore
Para fillimit të kampionatit të ri të Superligës së futbollit të Kosovës, e në kuadër të përgatitjeve sa më të mira, futbollistët e Vëllaznimit, në stadiumin e qytetit në Gjakovë zhvilluan ndeshje miqësore me 2 Korrikun e Prishtinës.
Ndeshja u mbyll me fitoren e kuqezinjve 3-0. Golat i shënuan Semir Zeneli, Dardan Rogova dhe Paolo Ivani.
Për herë të parë në fanellën e Vëllaznimit me sukses u prezantua edhe braziliani Leandro Junior nga krosimet e sakta të të cilit erdhën dy gola.
Edhe në ndeshjen e së premtes kryetrajneri Ismet Munishi angazhoi pothuajse të gjithë futbollistët që konkurrojnë për 11-shen më të mirë që do ta bartë barrën kryesore të kampionatit.
Loja e mirë e futbollistëve u duartrokit nga rreth 1 mijë adhurues të futbollit që edhe në vapën e madhe ndoqën këtë takim stërvitor./radiogjakova/