.
Published On: Mon, Jul 21st, 2014

Fundjava e gjakovarëve

Share This
Tags

hasi-1

Besnik Hasi fiton trofeun e dytë të rëndësishëm si trajneri i Anderlecht-it. Ish-mbrojtësi i kombëtares kuqezi, tashmë në krye të skuadrës belge ngriti lart Superkupën e Belgjikës pas suksesit 2-1 ndaj Lokeren. Në fakt rezultoi një sfidë mjaft e vështirë për Anderlecht-in, që e siguroi fitoren në minutat shtesë falë një autogoli të Adoi teksa rezultati deri në ato momente ishte mbërthyer në shifrat 1-1. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Anderlecht-it që e zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të me Mitrovic, por në të 73-n Harbaui i Lokeren vuri baraspeshën e përkohshme, por pa mundur që ta çonte ndeshjen në shtesë.

lorik-cana

Lorik Cana – Nëse në fund të sezonit të kaluar e ardhmja e Lorik Canës te Lazio ishte në pikëpyetje, tani nuk më asnjë dyshim pasi kapiteni i Kombëtares Shqiptare do të vijojë te jetë pjesë e klubit bardhekaltër edhe për sezonin e ri. Në një intervistë nga Komuna e Auronzo di Cadore ku Lazio po zhvillon aktualisht fazën përgatitore, 30-vjeçari bëri me dije se do të qëndrojë në kryeqytetin italian, ndërkohë që theksoi se edhe pse Lazio është në kërkim të dy qendërmbrojtësve ai ka besim te aftësitë e tij dhe mund të japë akoma edhe më shumë për bardhekaltërit, kështu që nuk ka aspak frikë nga konkurrenca në skuadër.

Gashi-shkelzen

Shkëlzen Gashi – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën te Bazeli. Në javën e parë të kampionatit zviceran, gjakovari ka qenë protagonist në debutimin me kampionët në fuqi të Bazelit. Ai e ka startuar si titullar takimin kundër Araut, teksa në minutën e 38-të ka dhënë asistin e golit të dytë, të shënuar nga Aliji. Bazeli ka fituar me rezultatin 2-1 në transfertë, duke filluar shkëlqyer kampionatin në mbrojtje të titullit kampion. Ndërkohë, Gashi është zëvendësuar nga trajneri Paulo Soza në minutën e 58-të.

abrashi-

Blerim Kukeli dhe Amir Abrashi – Është rikthyer të luajë 90 minuta Burim Kukeli, mesfushori shkatërrues që humbi gjithë sezonin e kaluar, pasi theu këmbën gjatë një ndeshjeje stërvitore. 27-vjeçari nga Gjakova është rikthyer të luajë një ndeshje të plotë pas 1 viti dhe performanca e tij ka qenë shumë pozitive. Ekipi i tij, Zyrihu mundi 1-0 Grasshoperin në kampionat dhe Kukeli fitoi duelin me Abrashin, mesfushorin tjetër kuqezi, që luajti gjithashtu 90 minuta në këtë takim. Ndëshkimi me karton të verdhë në minutën e 52-të të takimit tregoi se Kukeli është rikthyer fuqishëm edhe në aspektin psikologjik, pasi nuk ka frikë të ndërhyjë, ashtu siç ndodh rëndom me lojtarët pas dëmtimeve të rënda.