.
Published On: Thu, Aug 24th, 2017

Futsal Cup, Liburni shumë i fortë për Titogradin

Share This
Tags

Klubi i futsallit Liburni ka bërë një tjetër paraqitje fantastike në Futsal Cup në Luksemburg. Në ndeshjen e dytë të grupit B parakualifkues, skuadra gjakovare mposhti kampionët malazez të Titogradit me rezultat 7-2 dhe është me një këmbë në fazen tjetër të këtij kompeticioni.

Në pjesën e parë malazezët krijuan iluzionin se mund të përballonin kampionët e Kosovës, duke shënuar të parët dhe duke e mbajtur rezultatin e barabartë 1-1, por u dorëzuan në fund të kësaj pjese kur Liburni gjeti golin e avantazhit.

Në pjesën e dytë diferencat u thelluan edhe më shumë dhe skuadra gjakovare tregoi cilësinë duke shënuar edhe 5 gola të tjera.

Nga një gol për Liburnin shënuan Nexhip Selimi, Ideal Brovina, Valon Kasapi, ndërsa nga dy të tillë realizuan Halim Selmanaj dhe Azem Brahimi.

Pas kësaj fitore, Liburni udhëheq i vetëm grupin B me 6 pikë, 3 më shumë se vendi i dytë. Ndeshjen e ardhshme gjakovarët e luajnë të shtunën në ora 20:30 ndaj ekipit Differdange./radiogjakova/