.
Published On: Mon, Apr 23rd, 2018

Gjakova shënon Ditën e Librit, biblioteka fton qytetarët të dhurojnë libra

Share This
Tags

Të hënën në Gjakovë u shënua Dita Botërore e Librit. Këtë ditë, Biblioteka e qytetit “Ibrahim Rugova” e kremtoi me moton “Dhuro edhe ti së paku një libër” ku ftoi të gjithë qytetarët që të dhurojnë nga një libër në mënyrë që të pasurohet fondi i kësaj biblioteke.

Drejtori i Bibliotekës, Engjëll Berisha, tha se janë të kënaqur me dhurimet që ndodhën gjatë ditës së hënë nga qytetarë, autorë dhe donacioni i Komunës së Gjakovës.

Ai tha se synim është që të arrihet standardi i kërkuar, që është dy libra për kokë banori.

“Biblioteka ka nevojë të mirëmbahet, të pasurohet me tituj të ri. Jemi të lumtur që sot i janë përgjigjur ftesës sonë për të dhuruar libra. Ne kemi 52 mijë ekzemplarë librash, por standardi botëror kërkon që të jenë 2 libra për kokë banori. Kështu që urojmë që të arrijmë këtë standard”, u shpreh Berisha.

Me iniciativë të Drejtorisë për Kulturë, të 12 drejtoritë komunale si dhe Zyra e Kryetarit kanë dhuruar libra në vlerë prej 100 eurosh secila, duke bërë biblioteka të përfitojë vepra në vlerë totale prej 1300 euro. Drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, falënderoi të gjithë kolegët e saj për mbështetjen e kësaj iniciative.

Në programin e përgatitur nga Biblioteka “Ibrahim Rugova”, mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, që pasi dhuroi librat, premtoi se nga viti i ardhshëm do të ndajë buxhet për blerjen e librave për bibliotekën.

Po ashtu, u shpallën edhe lexuesit më të mirë të cilëve iu dhurua nga një libër. Nga gjenerata e vjetër u nderuan Hajrie Fazliu, Agim Juniku dhe Fane Blakaj, të gjithë të moshës së tretë, por që vijojnë të jenë lexues të rregullt.

Nga kategoria e nxënësve u nderuan Bubulina Peni, Vlera Kalaveshi dhe Jeta Dula. Nga mësimdhënësit, u nderua profesoresha Jeta Rexha, ndërsa tek fëmijët dhurata morën Rina Dujaka, Rea Gojani, Lindi Rudi dhe Benjamin Çuni si lexues të dalluar.

E nxënësja Rina Dujaka apeloi tek të gjithë moshatarët e saj që të lexojnë sa më shumë, ndërsa ajo dhe të tjerë recituan poezi të ndryshme për fëmijë./radiogjakova/