Promovohen dy veprat e Ragip Ballatës
Profesori Ragip Ballata të shtunën promovoi veprat me titull “Mësuesit e Gjakovës” dhe “Themelet e arsimit shqip në Gjakovë”.
Të dy këto vepra flasin për mësuesit gjakovarë të cilët shërbyen në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare nga viti 1991 e këndej.
Ballata, pasi falënderoi të gjitha ata që kishin mundësuar botimin e këtyre veprave, foli edhe për përmbajtjen e tyre duke thënë “se vizioni dhe përpjekjet e mëdha të këtyre personaliteteve të arsimit japin rezultate vendimtare në sistemin e organizuar arsimor në gjuhën shqipe dhe vendosjen e përjetshme të themeleve të arsimit në trevat shqiptare”.
Recensenti i këtyre veprave, akademik Mehmet Halimi tha se me punën e tij, Ballata solli një frymë të re të trajtimit të arsimit kombëtar si dhe një metodë të hulumtimit që nuk është parë deri më tani.
Recensenti tjetër, publicisti dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi pasi përgëzoi Ballatën për këto vepra të çmuara, e duke u ndërlidhur edhe me situatën aktuale, tha se sistemi arsimor i sotëm duhet të ketë për bazë të njëjtat parime që kishin mësuesit të cilët janë përfshirë në këto dy vepra.
Në promovimin e dy veprave foli edhe profesor Muhamet Rogova, si përfaqësues i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” që tha se autori Ballata ka bërë vite punë për të sjellë të dhëna se si është zhvilluar arsimi shqip dhe i ka sistemuar ato në dy vepra që kanë vlerë të çmuar.
Aktivitetin e përshëndeti edhe drejtoresha për Kulturë, Saranda Hyseni, që deklaroi se puna e madhe e mësuesve misionarë do të mbesin si trashëgim për brezat e ardhshëm falë këtyre de veprave.
Në fund, një pano me emrat e të gjitha mësuesve misionarë iu dorëzua në mënyrë simbolike Muzeut Etnografik të Gjakovës, ndërsa pasardhësve të këtyre mësuesve iu dhurua nga një kopje e personalizuar e librit./radiogjakova/