Gjysmëfinalja e Kupës, Vëllaznimi barazon 1-1 ndaj Drenicës
Vëllaznimi barazoi 1-1 me Drenicën në Skënderaj në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Ekipi gjakovar e nisi mjaft mirë ndeshjen duke gjetur golin e epërsisë që në minutën e 9-të. Lorik Rudi shfrytëzoi një gabim të mbrojtësve dhe çoi me të djathtën topin në rrjetë.
Edhe pse pati edhe raste të tjera për të dyja skuadrat, pjesa e parë u përmbyll me rezultat 0-1 për Vëllaznimin.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes Drencia shtoi presionin ndaj portës së gjakovarëve. Pas disa rasteve të mira, Kreshnik Uka barazon rezultatin në 1-1 kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë nga fundi. Deri në fund nuk ndryshoi asgjë.
Ky rezultat i jep një avantazh skuadrës së Vëllaznimit pas shënimit të golit në fushën kundërshtare. Ndeshja e dytë gjysmëfinale e cila do të përcaktoje edhe finalistin do të luhet më 18 prill në Gjakovë.
Ndryshe në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Prishtina e mposhti 1-0 Vushtrinë./radiogjakova/