Gola: Kemi platformën dhe njerëzit për një Gjakovë më të mirë
Gjakovë- Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur kampanjen e saj elektorale në komunën e Gjakovës duke prezantuar Luan Golen si kandidat për kryetar dhe kandidatët për Asamble komunale.
Në fjalen e tij, Luan Gola ka thënë se zgjedhjet lokale të vitit 2013 janë një shans i madh për ndryshime në komunën e Gjakovës, pasi LDK-ja i ofron këtë rradhë elektoratit gjakovarë jo vetëm një platformë konkrete, por dhe njerëzit që duan të punojnë për të miren e këtij qyteti.
“Zhvillimi ekonomik mbetet sfida jonë kryesore. Masat e LDK-së janë orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, kemi përgatitur platformën konkrete për ringjalljen e kompleksit të Çarshisë së Vjetër, shenjë e identifikimit të qytetit tonë, duke bërë lehtësimet e administrative dhe tatimore për aktivitetet e ndërmarrësve në këtë zonë në mënyrë që asaj t’i kthehet vitaliteti”, është shprehur Gola.
LDK-ja, sipas kandidatit për kryetar të kësaj partie, i ka dhënë rëndësi dhe bujqësisë. Ai ka premtuar se do të ndal keqpërdorimet në këtë sektor. “Nga dita e parë, LDK-ja do t’i evitojë gabimet e rënda që i janë shkaktuar sektorit bujqësor, së pari duke ndaluar keqpërdorimin e transformimit të tokës bujqësore në atë ndërtimore, riorganizimin e fermave të vogla dhe subvencionimin e prodhimeve bio”, ka shtuar Gola.
Gola gjithashtu ka premtuar studentëve që nëse ata do vijnë në pushtet do të shpërndahen nga 150 bursa në çdo vit dhe jo sikurse qeverisja aktuale që në shtatë vjet ka dhënë vetëm 50 të tilla. “Në kohen kur në Gjakovë ka udhëhequr LDK-ja kemi dhënë nga 150 bursa për çdo vit, ndërsa pushteti aktual që nga viti 2007 ka shpërndarë vetëm 50 bursa. Ne ju premtojmë se do shpërndajmë prap nga 150 bursa për çdo vit”, ka garantuar numri një i LDK-së në Gjakovë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka dhënë përkrahje të madhe kandidatit të partisë së tij në Gjakovë. Ai ka thënë se nëse ndokush e meriton LDK-në, ata janë gjakovarët. Mustafa e ka quajtur Gjakovën qytet të krenarisë, dinjitetit dhe dhimbjes.
“Atë çfarë ju keni dhënë për Kosovën, ne, Kosova, s’do të mund t’ua kthejmë asnjëherë, por ju premtojmë se do ju kemi prioritet në Qeverinë qendore e që nga viti i ardhshëm do të udhëhiqet nga LDK-ja”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se do të kujdesemi që në Gjakovë të mos ketë persona shumë të pasur dhe shumë të varfër.
Ky tubim u përmbyll me prezantimin e kandidatëve për Asamble komunale nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës./radiogjakova/