Gola premton shtëpi të re për përkujdesje sociale
Gjakovë- Një shtëpi e re për përkujdesje sociale dhe dy qendra rekreativo-sportive do të ndërtohen në Gjakovë në rast se në zgjedhjet e 3 nëntorit si i pari i Komunës zgjidhet Luan Gola. Këtë premtim kandidati i LDK-së e bëri në Shoqatën e Pensionistëve të Gjakovës të cilët i vizitoi paraditen e së mërkurës.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për fushatë dhe ju e dini këtë. Ne deri tash jemi takuar disa herë me ju dhe ky është vetëm një takim i rradhës që po e zhvillojmë së bashku. Bashkarisht i kemi shqyrtuar problemet e pensionistëve dhe ne si LDK e kemi ndërtuar konceptin tonë se si do të zgjidhen problemet tuaja. Nuk po flas për nivelin qendror, por në nivelin lokal ne e kemi planin e detalizuar për ndërtimin e një shtëpie për përkujdesje sociale, në të cilën mund të gjejnë strehim shumë pleq që nuk i kanë familjarët këtu apo që familjarët e tyre nuk kanë mundësi të përkujdesen për ta. Gjithashtu, ne kemi në plan edhe ndërtimin e dy qendrave rekreativo-sportive, njëra në Shkugëz e tjetra në Çabrat, në të cilat vend të veçantë do të kenë edhe pesnionistët”, ka thënë Gola.
Në këtë takim prezente ishte edhe nënkryetarja e LDK-së, deputetja Teuta Sahatqija, e cila i njoftoi pensionistët me zhvillimet në nivelin qendror, sa u përket angazhimeve për këtë kategori njerëzish. Ajo tha se disa herë e ka ngritur në Kuvendin e Kosovës çështjen e pensionistëve, por deri me tani të gjitha këkresat e saj dhe të LDK-së kanë hasur në vesh të shurdhër tek Qeveria e Kosovës.
“Besoj se të gjithë jeni dëshmitar të angazhimit të grupit tonë paralamentar rreth çështjes së pensionistëve. Unë personalisht disa herë e kam ngritur këtë çështje në Kuvend, kam biseduar me ministrin Rasiç, por në të gjitha rastet nuk e kemi pasur vëmendjen dhe përkrahjen e Qeverisë”, ka thënë Sahatqija./radiogjakova/