Hasi e Cana, rekordmenët kuqezi në Europë
Ish-futbollistët e njohur gjakovarë, Besnik Hasi dhe Lorik Cana, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar.
Në bazë të të dhënave zyrtare të UEFA-s, në lidhje me kompeticionet e saj, dy gjakovarët rezultojnë ndër më të suksesshmit në mesin e të gjithë futbollistëve shqiptarë.
Besnik Hasi është shqiptari me numrin më të madh të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.
Ai ka zhvilluar 35 ndeshje në këtë kompeticion me skuadrën e Anderlehtit. Pas tij vjen Taulant Xhaka e Altin Haxhi, ndërsa vendi i katërt është i rezervuar për Lorik Canën që ka luajtur 20 ndeshje vetëm në Ligën e Kampionëve.
Por, nëse merren në tërësi të gjitha kompeticionet atëherë Cana ka zhvilluar 56 ndeshje në të gjitha Kupat e Europës me 4 skuadra të ndryshme, PSG, Olimpik Marsejë, Gallatasaraj dhe Lazio. Më shumë se Cana ka vetëm Ansi Agolli që ka 57 ndeshje, ndërsa Hasi renditet i katërti me 44 ndeshje me dy skuadra Gent e Anderleht. Para tij është Admir Teli.
Hasi është tashmë një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptarë dhe historia do ta mbajë mend si trajnerin e parë dhe të vetëm deri më tani që ka drejtuar një skuadër në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Sa i përket rekordeve të tjera, Hamdi Salihi është golashënuesi më i mirë shqiptar në Ligën e Kampionëve me 6 gola si dhe në tërësi në të gjitha Kupat e Europës me 14 të tilla.
Futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve është Bledar Koka, ndërsa lojtari i parë shqiptar që shënoi në këtë fazë është Besart Berisha.
Ndërsa, Igli Tare është futbollisti i vetëm shqiptar që ka luajtur në një finale të një kompeticioni klubesh të UEFA-s, në vitin 2011 në finale e Kupës Intertoto.