Kandidatët për kryetarë diskutojnë mbi projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve
Organizata ATRC në bashkëpunim me Femrat Aktive të Gjakovës organizoi tryezë diskutimi në të cilën morën pjesë kandidatë për kryetarë dhe ata për Asamblenë komunale të Gjakovës.
Në fokus të këtij debati ishte projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe nenet ku Komuna obligohet të përmbushë disa detyrime.
Kandidati i LDK-së për kryetar, Bekim Ermeni, tha se është e nevojshme që mbrojtja e fëmijëve të jetë e definuar si në aktivitete, ashtu edhe në buxhet komunal.
Ndërsa, Driton Çaushi, nga Vetëvendosje, u shpreh se ngecja në këtë ligj është diku tjetër dhe se Komuna nuk ka mundësi që të bëjë më shumë përpos të respektojë ligjin përmes mekanizmave të saj.
Kandidati për Asamble nga radhët e Alternativës dhe përfaqësuesi i qeverisjes aktuale, Ali Tafarshiku, njoftoi me përpjekjet e Komunës për garantimin e të drejtave të fëmijëve edhe përmes një rregulloreje që ka kaluar në Asamble këtë vit.
Përfaqësuesja e AAK-së, Burbuqe Bakija-Deva, tha se garantimi i të drejtave të fëmijëve nuk duhet të lihet nën mëshirën e një individi apo subjekti, prandaj sugjeroi që projektiligji me përmirësime t’i drejtohet edhe njëherë Kuvendit.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve të tjera, organizata jo qeveritare dhe akterë të tjerë të cilët kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve./radiogjakova/