Këshillat e lagjeve janë të rëndësishme
Gjakovë- “Funksionimi i Këshillit të fshatit përkatësisht lagjës-formalitet apo nxitje e aktivizimit qytetar”-ishte titulli i tryezës së rrumbullakët të mbajtur në Gjakovë me organizim të Forumit për Iniciativa Qytetare në bëashkëpunim me Qendrën për zhvillimin e komunitetit dhe biznesit.
Këtë tryezë e ka hapur Nazim Haliti nga ky forum, i cili ka veëuar rëndësinë e funksionimit të Këshillave të fshatit dhe lagjeve urbane për komunikimin ndërmjet pushtetit komunal dhe qytetarëve.
Lidhur me këtë kandidatja për kryetare të komunës së Gjakovës, nga radhet e Lëvizjës “Vetvendosje”, Arbërie Nagavci ka thënë se ky bashkëpunim është në fokus të programit të këtij subjekti politik.
“Ne mendojmë se është e domosdoshme që të kemi përfaqësues të lagjeve dhe grupeve me interes dhe gjitha kategorive në vendimarrjen tonë. Ne kemi planifikuar të kemi takime njëmujore ku do jenë përfaësuesit e lagjeve të cilët do mbajnë dhe ata takime të rregullta. Kemi parashikuar që së paku katër takime në vit Zyra e Kryetares ta bëjmë me qytetarët se vlerësojmë se qeverisja bëhet më qytetarin dhe për për qytetarët”, u shpreh Nagavci.
Në anën tjetër, kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Gjakovës, Hajdar Beqa, tha se bashkësitë lokale janë tejet të rëndësishme pasi ato janë zëri i drejtpërdrejt i qytetarit.
“Une si kryetar i ardhshëm i Komunës së Gjakovës do te kom një bashkëpnim të rëndësishëm me gjithë ju. Këshillat dhe kryesuesit e bashkësive i shoh si njerëz jashtë politikes, i shoh njerëz me vullnet të mirë dhe si zë i rëndëisshëm që përfaqëson bashkësitë lokale. Ne do kemi një bashkëpnim të mirë jo vetëm në hartimin e strategjive por edhe implementimin e gjitha projekteve”, tha ndër të tjera Beqa.
Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati i koalicionit AAK-LDD për kryetar të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj u shpreh se sikurse kërkohet një decentralizim pushtetesh nga niveli qendror në local, ashtu duhet të ketë dhe nga ai local në bashkësitë lokale.
“Ne kemi miratuar një rregullore që bazohet ne ligjin për qeverisje lokale që i përcakton dhe i përshkruan gjitha kompetencat e përfaqësuesve të bashkësive lokale si dhe komunkimin mes tyre dhe Zyrës së Kryetarit. Sikurse kërkojmë decentarlizim të pushteteve nga niveli qendror në nivelin local, ashtu duhet të ketë edhe një decentralizim prej nivelit lokal në bashkësi lokale që me të vërtetë të jetë një komunikim më i drejtpërdrejt”, tha Lekaj.
Tryeza ka vazhduar me diskutimet e përfaqësuesve të këshillave në fjalë si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile./radiogjakova/