Koci: Vëllaznimi u politizua
Gjakovë- Pas ndeshjes së parë të stinorit pranveror të Ligës së Parë futbollistike të Kosovës, ka reaguar ish kryetari i klubit futbollistik “Vëllaznimi, Agim Koci, i cili me një kumtesë ju është drejtuar përfaqësuesve të mjeteve të informimit.
Në këtë reagim me titull “Politizimi i vërtetë i klubit të futbollit Vëllaznimi po ndodh tani”, Koci ndër të tjera ka shkruar se kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila gjatë fushatës në asnjë qast nuk rreshti së kritikuari qeverisjen Lekaj për politizim të klubit Vëllaznimi, dhe kinse për keqpërdorimet e llojeve të ndryshme brenda klubit, ndërkohë që sipas Kocit, politizimi i kritikuar e ka arritur kulmin në fillim të qeverisjes së Kusari Lilës.
Kjo, sipas tij, u vërejtë qartë edhe në ndeshjen e fundit në mes Vëllaznimit dhe Istogut ku postera të Mimozës valëviteshin në stadium. Këtu vërehen qartë ndikimet politike sepse edhe stafi i zgjedhur i Vëllaznimit është i përbërë nga kryesia dhe kabineti i gjerë i Kusari Lilës, thuhet ndër të tjera në reagimin e ish-kryetarit të klubit futbollistik “Vëllaznimi”, Agim Koci./radiogjakova/