Kryesia e KF Vëllaznimit mban mbledhjen e parë
Gjakovë- Kryesia e porsa zgjedhur e klubit të futbollit Vëllaznimi e ka mbajtur mbledhjen e vetë të parë të punës, nën kryesimin e Mentor Neles, kryetar. Me këtë rast janë përcaktuar kahet e aktivitetit të mëtutjeshëm, të cilat, sipas vlerësimit të kryesisë, do të ndihmojnë që skuadra të rikthehet në elitën e futbollit të Kosovës e më pastaj edhe të jetë në mesin e klubeve më të mira.
Në këtë rrugë, Kryesia e ka vlerësua se është e domosdoshme mbështetja e tifozëve “Kuqezinjve të Jakovës”, për çka nuk dyshohet se do të jetë prezent.
Është konstatuar domosdoshmëria për një organizim sa më të mirë të klubit në të gjitha drejtimet, duke filluar nga puna me ekipin, puna me kategori të reja, organizimi i ndeshjeve, përmirësimi i infrastrukturës, sigurimi i financimit sa më të rregullt, puna profesionale dhe përmirësimi i kushteve për lojtarë.
Në këtë mbledhje, kryetari i klubit, Mentor Nela, në përputhje me kompetencat që i ka sipas Statutit të Klubit, e ka njoftuar kryesinë se dy anëtarë të ri të këtij forumi që ai ka të drejtë t’i zgjedh janë Burim Dobruna dhe Bujar Guta, propozime këto që u mirëpritën edhe nga anëtarët e tjerë të kryesisë.
Njëzëri u vendos që nënkryetar i klubit të jetë Pashë Daija, ndërsa sekretar Blerim Vula./radiogjakova/










