Kur kapiteni luante sulmues
Romë- Kapiteni kombëtares shqiptare dhe titullari Lacios, Lorik Cana, ka zbuluar disa pjesë të panjohura të karrierës së tij deri më tani. Në një rrëfim ekskluziv për revistën mujore “Lazio style magazine” Loriku ka folur për karrierën e tij, duke zbuluar ndër të tjera edhe faktin se te Lozana në Zvicër, ekipi i parë i tij, luante si sulmues.
Lorik Cana ka qenë një sulmues dhe jo një qendërmbrojtës, ashtu siç jemi mësuar ta shikojmë në vitet e fundit. “Karriera ime si futbollist ka nisur nga sulmi. Në fëmijërinë time kujtoj që isha shumë i mirë para portës dhe shënoja shumë gola. Pastaj me kalimin e kohës u spostova paksa në mesfushë, ndërsa kur shkova te Parisi (PSG-ja), trajneri më vendosi të luaja si shkatërrues para mbrojtjes. Aty u perfeksionova akoma më shumë në këtë rol. Te Marseja ndërkaq në disa raste kam luajtur edhe si qendërmbrojtës, rol të cilin e bëj tani edhe te Lacio, si dhe në kombëtaren shqiptare”, është shprehur Cana.
Sakaq, lidhur me karrierën e kapitenit të përfaqësueses shqiptare ka folur në këtë revistë edhe babai, njëkohësisht edhe menaxheri i tij, Agim Cana. Ky i fundit ka pohuar se që në fëmijëri Loriku ka treguar një karakter të fortë prej lideri, duke kërkuar gjithnjë që të ketë në krah shiritin e kapitenit. “Ai ka një karakter të fortë prej luftaraku dhe që në fëmijëri ka qenë gjithnjë kapiten në skuadrat ku ka luajtur. Kam punuar shumë me të duke e adresuar që të mësonte gjuhët e huaja, ndaj nuk është rastësi që sot flet italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht. Këto më pas e kanë ndihmuar që në skuadrat ku ka shkuar, ta ketë më të lehtë të qenët lider dhe të marrë shiritin e kapitenit”, ka sqaruar Agimi. Kujtojmë që Cana e mban shiritin e kapitenit që nga koha kur nga kombëtarja u largua Altin Lala dhe Ervin Skela, pra që nga tetori i vitit 2011.
Ai ka qenë kapiten gjithashtu edhe në ndeshjen Shqipëri-Francë të 2011-ës, pavarësisht se në fushë ishte edhe Skela, por shiriti i kaloi Lorikut me mirëkuptim, duke qenë se vetë ai kishte kërkuar ta mbante në krah për atë takim. Cana ka dy nënshtetësi, shqiptare dhe franceze, ndaj kërkoi me ngulm edhe për çështje patriotizmi karshi skuadrës franceze që ai të mbante shiritin e kapitenit./asport/