.
Published On: Thu, Oct 31st, 2013

Kusari-Lila: Kërkojmë rotacion policor diten e zgjedhjeve

Share This
Tags

mimoza-konferenca1Gjakovë- Mimoza Kusari-Lila ka mbajtur pasditen e së enjtes një konferencë për media ku ka bërë publike kërkesen e saj, të shprehur edhe në mënyrë institucionale, se të dielen në diten e zgjedhjeve në Gjakovë të vijnë pjesëtarë të policisë nga qytetet tjera jo të Rrafshit të Dukagjinit.

Shkak për këtë kërkesë është, sipas saj, sjellja e njëanshme në favor të AAK-së e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, stacioni në Gjakovë dhe njësisë speciale të Pejës në debatin “Jeta në Kosovë” zhvilluar të mërkuren në mbrëmje.

“Më duhet të shpreh reagimin tim për sjelljen e Policisë së Kosovës dhe Njësisë Speciale nga Peja gjatë debatit “Jeta në Kosovë” për sjellje të njëanshme të policisë. Teatri i Gjakovës është shprazur dy herë dhe policia ka dhënë pretekstin se të gjithë do ftohen me listë, por janë futur vetëm militantët e AAK-së nga disa hyrje në pallatin e kulturës e ata që kanë qenë në listë të dorëzuar shumë më herët sipas afatit të kërkuar nga BIRN-i, që ishte organizatore, kanë mbetur jashtë.

“Nëse kjo qasje e Policisë së Kosovës vazhdon edhe diten e zgjedhjeve ne kemi dyshime dhe brenga serioze mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kemi kërkuar nga kompetentët që të bëhet rotacioni i policëve në diten e zgjedhjeve dhe mundësisht në komunën e Gjakovës të mos vijnë policë nga rajoni i Dukagjinit për shkak të brengave të qytetarëve por edhe të njëanshmërisë që ka egzistuar gjatë debatit”, u shpreh Kusari-Lila.

Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës tha se këtë kërkesë e ka nisur drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit dhe Bernard Borchardt, Shef i Misionit të EULEX-it në Kosovë.

Në këtë konferencë, Kusari-Lila tha se kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së gjithe paratë e dedikuara për ngrohjen e shkollave i ka futur në fushatë pa e çarë shumë koken nëse nxënësit do të kenë ngrohje në ditët e ftohta.

Ajo ka rikthesuar edhe problemin e pronave të ngritur edhe më herët nga AKR-ja, problemet me kontrata me kompani që në kohë fushate shtrojnë rrugët me asfalt dhe zhavor, problemet e Çarshisë së Madhe që, sipas Kusari-Lilës, është pa ndonjë plan dhe larg prej asaj që është reklamuar si ruajtje e trashigimisë së kulturës, dëmtimet e materialeve promovuese të AKR-së gjatë kohës së fushatës dhe probleme tjera./radiogjakova/