Kusari-Lila: Lekajn se shpëton nga humbja as PDK-ja e as LDK-ja
Prishtinë- Mimoza Kusari-Lila ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë ku ka folur për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e koalicioneve për raundin e dytë që do mbahet më 1 dhjetor.
Kusari-Lila është shprehur e bindur se do fitojë edhe në rast se kundërkandidati i saj Pal Lekaj do bënte koalicion me PDK-në e LDK-në.
“Nuk kemi frikë nga mundësia apo lidhja e koalicioneve të cilat po paralajmërohen, ato janë vetëm mesazhe panike dhe frike nga kryetari në largim për numrin e votave të cilat tani veç se i ka humb” tha Kusari-Lila.
Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës ka thënë se votat e gjakovarëve janë një mesazh i mirë për Lekajn se qytetarët e duan ndryshimin më shumë se kurrë.
“Jemi të kënaqur me rezultatin, gjithashtu besojmë dhe shpresojmë se ky rezultat është një mesazh i fuqishëm për kryetarin në largim me rastin e humbjes së afërsisht të 7000 votave nga zgjedhjet e vitit 2009, tregon se tendenca e banorëve të komunës së Gjakovës është për të ndryshu, për të lëviz gjërat në aspektin pozitiv” u shpreh Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se më 1 dhjetor pret një dalje masive të qytetarëve të komunës së Gjakovës dhe një përkrahje nga votuesit të cilët më 3 nëntor kishin votuar kandidatët tjerë të cilët nuk paten sukses./radiogjakova/