.
Published On: Fri, Nov 1st, 2013

Kusari-Lila: Më 4 nëntor fillon një etapë e re për Gjakoven

Share This
Tags

mimoza 2Gjakovë- Aleanca Kosova e Re ka mbajtur tubimin përmbyllës në Gjakovë në mbështetje të kandidates për kryetare, Mimoza Kusari-Lila dhe listës për Asamble. Ish-titullarja e MTI-së është shprehur e bindur në fitoren e saj.

Kusari-Lila ka thënë se ndjenja e shpresës ka mbizotëruar mbi depresionin që ka kapluar komunën dhe duke përmendur një nga një dëshmorët tha se më 4 nëntor Gjakova do të nisë një etapë të re.

“Më 4 nëntor fillon një jetë e re për Gjakovën dhe të gjithë do të jemi pjesë e këtij ndryshimi. Në natën mes 3 e 4 nëntorit do të festohet në gjithë komunën. Do të festohet në Bllok të ri, në mehallë të Gecës, në Dushkajë, në Rekë të Keqe, në Rekë të Mirë, në Çarshi të vjetër, në Has, në secilën shtëpi të gjakvoarëve e në secilin cep të komunës së Gjakovës. Gjakova është një dhe e pandarë. Nuk ka qenë Gjakova kurrë e ndarë. Politika e keqe e ka ndarë Gjakovën”, u shpreh Kusari-Lila.

Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës ka pasur disa fjalë edhe për Ramush Haradinajn, liderin e AAK-së, partisë që ka qeverisur me Gjakovën për dy mandate, për të cilin tha se betejen që ai e nisi për çlirim do ta vazhdojë ajo për paqe, zhvillim ekonomik dhe një jetë më të mirë.

mimoza-pacolli

“Nga kjo binë sonte më duhet t’i them dy fjalë për një komandant të cilit Gjakova i bëri konak, i dha bukë e nderoi dhe e vlerësoi gjatë. Dua t’i them disa fjalë për komandantin gjeneral Haradinaj. Djemtë dhe vajzat e Gjakovës të besuan dhe t’u bashkuan. Shumë nga Gjakova u flijuan. E fituat luftën bashkë, por ende nuk e ngadhnjyet paqen. Gjakovarët nga të gjitha anët e komunës ta dhanë besën. Gjakovarët e mbajnë besën dhe gjakovarët e mbajtën këtë besë deri sot.

“Komandant, sot të them se këtë betejë do të vazhdoj ta udhëheqë unë bashkë me bashkëqytetarët e mi nga komuna e Gjakovës. Unë si bijë e kësaj toke, katër vjet më parë ju betova gjakvoarëve dhe tani ende e mbaj atë besë. Ti e din se besa e gjakovarit është e shenjtë dhe ajo mbahet. Ka ardhur koha që Gjakova ta fitojë paqen, të kemi zhvillimin dhe ta mbajmë të kaluarën të ndritur në librat e historisë. T’i përkulemi atyre që dhanë gjakun për këtë vend por edhe atyre që janë gjallë dhe nuk e kanë vendin e merituar”, ka thënë Kusari – Lila, mes brohoritjeve të të pranishëmve në sallë.

Ndërsa, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka dhënë mbështetje maksimale për Kusari-Lilen duke thënë se ajo do të punojë akoma më shumë dhe më mirë se ç’bëri në Qeverinë Thaçi.

“Mimoza është bija juaj, ajo është këtu për ju dhe do të jetë gjithnjë për ju, do të punoj për ju, do të jetë aty ku ka nevojë dhe atëherë kur ka nevojë”, tha Pacolli.

Kryetari i AKR-së tha se Mimoza nuk ka frikë, por driken duhet t’ia kenë ata që e sollen Gjakoven në këtë gjendje. Ai ka shtuar partia e tij ka qenë e Gjakovës, është dhe do të mbetet e kësaj komune./radiogjakova/