.
Published On: Tue, Sep 26th, 2017

Kusari-Lila: Mos lejoni të rikthehen ditët e errëta të pushtetit të AAK-së

Share This
Tags

Kandidatja për kryetare të Gjakovës nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila takoi banorët e Bashkësisë së 4 lokale. Para të pranishmëve, Kusari-Lila foli për sukseset e qeverisjes së saj dhe projektet që pritet të përfundojnë viteve në vazhdim.

“Gjakova duhet të vazhdojë me këtë ritëm të zhvillimit. Është mundësia ideale që të vazhdojmë edhe për një tjetër mandat dhe të shohim frytet e punës së këtij mandati që po përfundon. Nuk duhet të lejoni të rikthehen ditët e errëta të pushtetit të AAK-së në Gjakovë sepse ju e shikoni me Qeverinë e Kosovës se ata nuk kanë ndryshuar, interesi parësor i tyre është ai personal”, tha Kusari-Lila.

Ish-kryetarja e Gjakovës përmendi investimet milionëshe, sipas saj, që po realizohen falë vullnetit të qeverisjes së saj, ndërsa shtoi se kundërkandidatët e saj po merren me gjëra të parëndësishme.

“Në këto ditë debateve e përballjeve politike, shoh kundërkandidatët që merrem me imtësira siç janë topat në shkolla apo imagjinojnë dhe thonë gjëra të paqena, por është e rëndësishme që ata nuk bëjnë akuza për keqpërdorim të fondeve, për abuzim pushteti, për nepotizëm apo investime të gabuara. Kjo do të thotë se edhe ata e kanë kuptuar se çfarë qeverisje shembullore e transparente ka pasur Gjakova”, vijoi Kusari-Lila.

Në këtë takim, u prezantuan edhe kandidatët për Asamble komunale nga kjo Bashkësi lokale si Aliu Tafarshiku, Agnesa Lushaj e Tirron Mamusha.

Para këtij takimi, Kusari-Lila bëri vizitë punimeve në QKMF-në e re ku takoi personelin shëndetësor, vizitoi sheshin “Beqir Kastrati” ku bashkëbisedoi me banorë, vizitoi parkun e ri te ish-kazerma dhe pa nga afër punimet që po realizohen në konviktin “Sadik Stavileci”./radiogjakova/