Kusari-Lila takime me veteranët e luftës dhe të burgosurit politik
Gjakovë- Diten e shtatë të fushatës elektorale, kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila e ka nisur me vizita në dy shoqata të rëndësishme, atë të Veteranëve të Luftës dhe tek të Burgosurit Politik.
Në takimin me veteranët, Kusari-Lila ka thënë se nuk kemi ardhur për të kërkuar vota porse në vazhdën e takimeve nuk mund të anashkalohen njerëzit që vunë bazën e shtetit të Kosovës. Ajo ka shprehur nderimin për luftëtarët e UÇK-së.
“Ju qëndroni mbi gjitha partitë politike, grupet e interesit sepse juve nuk mund të ju merr në pronësi askush sepse vlerat që përfaqësoni i përkasin gjithë popullit të Kosovës. Kontributi i luftëtarëve dhe dëshmorëve është i pamohushëm dhe unë përkulem para veprës së tyre”, është shprehur Kusari-Lila.
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve, Sadri Hoxha ka apeluar për një process zgjedhor të mbarë dhe të mos nxitet populli që të ndahet në çfarëdo baza, pasi këto janë plagë që vështirë po shërohen. Ai gjithashtu ka kërkuar që kjo kategori të mos harrohet, pasi një pjesë e madhe e veteranëve jetojnë në gjendje të vështirë.
Apel për të mos u harruar kanë dhënë edhe pjesëtarët e Shoqatës së të Burgosurve Politik, dega në Gjakovë, të cilët kanë apeluar Kusari-Lilen se në rast fitoreje që të ndihmojë ata me aq mundësi dhe hapsirë sa i lejon qeverisja lokale.
“Jemi këtu në shenjë falenderimi e mirënjohje por gjithashtu për të konfirmuar që kudjesi ndaj grupeve që kanë dhënë shumë për këtë vend duhet të jetë më i madh si në aspketin shoqëror apo në aspektin e kërkesave sociale”, ka thënë Kusari-Lila.
Ish-të burgosurit politikë janë ankuar se, edhe përkunder lirimit me vendim qeveritar, ata akoma duhet të paguajnë për të marrë shërbimet shëndetsore në Gjakovë./radiogjakova/