Kusari Lila takon nënat e të pagjeturve
Gjakovë- Kandidatja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila ka zhvilluar një takim me nënat e personave të pagjetur në qendren e “Thirrjeve të nënave”.
Kryetarja e shoqatës, Nesrete Kumnova ka thënë se kjo kategori është diskriminuar në vazhdimësi dhe se pos dhimbjes ato po përballen me vështirësi që lidhen me punësimin e tyre dhe shkollimin e fëmijëve të këtyre familjeve.
“Jemi të interesuar që kryefamiljaret të punësohen dhe fëmijët e tyre të kenë bursa për shkollim. Kemi këtu nëna që nuk punojnë dhe mbijetojnë me ndihma nga 135 euro, ndërsa fëmijët e tyre detyrohen që të punojnë në mënyrë që ata të sigurojnë vetë shkollimin”, ka thënë Kumnova.
Në anën tjetër, Kusari-Lila ka thënë se këtë vizitë nuk duhet kuptuar politikisht apo si një takim ku kemi ardhur për të bërë propagandë, por duam të ju garantojmë se nëse vullneti sovranit dëshiron që ne të jemi në krye të komunës ju do të gëzoni mbështetje më të madhe. Ajo ju ka shpjeguar nënave sesi do të mund të gjeneronte vende të reja pune për familjarët e të pagjeturve.
“Një gjë që po ndodh në nivel të Kosovës, nuk dua ta marrë komunën e Gjakovës si rast, është se institucionet publike shohin si mundësi punësimi vetëm institucionet publike. Por, në momentin kur Komuna bëhet partnere ne sektorin privat, për shembull ja jep një kompanie private një parcelë toke për 99 vjet atëherë në kriteret e kontratës vendosen edhe punësimet e kategorive të caktuara d.m.th. po, ju e merrni këtë, por për këtë periudhë të caktuar jeni të obliguar që nga këto kategori të poshtë shënuara t’i punësoni dhe t’i aftësoni këta njerëz.”, ka sqaruar Kusari-Lila.
Nënat prezente në takim kanë treguar dhe raste tjera kur punojnë si pastruese, ndërkohë që para luftës kanë punuar në sektore të rëndësishme të ndërmarrjeve, apo për mungesë respekti dhe lirimi nga disa pagesa si kategori e prekur nga lufta.
Në fund të takimit, Nesrete Kumnova ka kërkuar jo vetëm nga Kusari-Lila, por nga gjithë kandidatët për kryetar që të kundërshtojnë hyrjen e asambleistëve serb në Kuvendin Komunal të Gjakovës, pasi ata janë kriminelë dhe me një gjest të tillë shkelet gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të Gjakovës./radiogjakova/