Kusari-Lila: Të pashkollët nuk ja dinë vlerën shkollës
Gjakovë- Mimoza Kusari-Lila ka mbyllur aktivitetet e ditës së shtune në një takim me mësimdhënës të komunës së Gjakovës. Ajo pasi foli për epoken e lavdishme që kishte dikur arsimi gjakovar që shkollojë breza të tërë në gjithë Kosovën, kritikoi ashpër politikat e ndjekura në këtë fushë nga Qeverisja aktuale.
“Kjo strukturë sot që udhëheq me komunën e Gjakovës e dëshiron një popull të manipulushëm, për arsye se ata nuk kanë vlera, ata janë të pashkollë, ata janë më shkolla të marra në format më të papranushme për një sistem edukimi dhe natyrisht nuk ja dinë vlerën shkollës”, tha Kusari-Lila
Kandidatja e AKR-së, ka kritikuar dhe punësimet në baza partiake në sektorin e arsimit duke i quajtur ata “mësimdhënës mediokër që nuk mund motivojnë nxënësit e komunës së Gjakovës”. “Drejtoria e Arsimit duhet të turpërohet për presionin që ju bëhet mësimdhënësve për përkatësi politike, ndërsa nuk ju bëjnë presion për pjesëmarrje të fëmijëve në orën e mësimit”, nënvizoi Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se një sistem arsimor i menaxhuar mirë, që fokusohet në kërkesat e tregut të punës do të mundësojë punësim më të lehtë për të gjithë, ndërsa ka premtuar se Gjakova do të kthehet në një qendër universitare që do orientohet në ndërmarrësi dhe inovacion.
“Brezat e rinj do të motivohen që të mbesin në Gjakovë dhe aplikojnë energjinë, talentin dhe kreativitetin e tyre në një shoqëri dhe ekonomi dinamike ku standardet më të larta të kompetencës profesionale do të shpërblehen”, tha për fund Kusari-Lila./radiogjakova/